MARRËZIA
Marrëzia zbriti me litarë buzëqeshjeje,
u fsheh e turpëruar nën lekurë e thonj,
u fut thellë ndër damarë duke thyer kristalet.
U mblodh si iriq,poshtë zemrës së uritur,
Aty priti të nginjej me gjak dliresie,
priti një ditë- dy -tri e kështu me radhë.
U lodh duke u djegur në atë prush që pulsonte parreshtur,
ëndërroi daljen, por dot nuk mundi,
u tret aty pranë vatrës se zjarrit
duke ngrohur shpresën.
E zuri gjumi mbi hirin e grohtë dhe ashtu dalngadalë u fik,
në pritje të etjes që kurrë nuk mbaroi.
E sytë u pulitën duke ndezur zjarrin në prehrin e së nesërmes
që fort ëndërronte.
ZJARRI, AJRI, UJI, TOKA
Zjarri shuhet brenda një gote,
shtrirë tentakulash zgjatur drejt hirit,
ngujuar dhembshëm thellë kësaj bote,
mendime të frikshme flijuar delirit.
Uji ngriu, burimet akulluan,
etja u shua lotëve të njelmëta,
dehja u shtri e dëshpëruar,
krizantemë të bardhë ndeu buzëqeshja.
Toka u zhurit e gjithçka u zhduk,
ngado mbeti terr e mister pa fund,
natyra u kthye rishtas në produkt,
rrugë e labirinte që s’të çojnë askund.
Ajri u përplas si zog i hutuar,
anembanë në prekje s’u duk
asgjëkundi,
kurrkush nuk kërkoi gjë për të zbuluar,
u zbeh gjithë dëshira dhe dot s’e mundi.
O SHPRESË E MARRË, O ËNDËRR E VRARË!
Vallë a s’u lodhe ?
Në këtë qiellgërvishtës,
retë rendin andej-këndej
siç rend njeriu në jetën e vet.
Hapet qielli dhe përpin
çdo ëndërr e mbetur në sirtarin e tij.
A shpresove o njeri, si i marrë?
Vallë ç’fitove nga shpresa, more qyqar?
U ropate,
u sfilite,
more ditëzi !
Me fatin nuk matesh dot,
a e di?
Ëndërrthyer u ktheve në shtëpi
porsi zogu që gjen folenë e tij.
U ropate,
u sfilite tërhequr zvarrë.
Ëndrrat, fshehur në një torbë, i pate marrë.
Zhveshur shpirti, lakuriq në errësirë,
kërkoje shpresën,
zemërthyer dhe i mpirë.
Askund nuk gjete as fat, as shpresë.
Dhe prite fatin me ngadalë,
në harresë.
Strukur ashtu pret edhe tani.
Me duart drejt qiellit lutesh ti,
të të sjellë qielli një copë fat.
Veç lutja të mbet, o i ngratë
.
Fërkon duart që të dridhen nga mërzia,
dhe shpreson shumë,
shpreson te fantazia.
Ulesh në gjunjë duke besuar,
Fatin duke e ëndërruar.