Thursday, December 25, 2025
BallinaVitrina e libritBarie Çupi-Erë malli…

Barie Çupi-Erë malli…

Erë malli…

Erë malesh,
shtegon gjithë mundim,
rrëzë bjeshkëve pushon,
merr frymë e djersin.


…erë luginash rrokulliset bashkë me ajrin,
me gojëdhënat,
me legjendat,
iu përthan buzët gurëve të zallit,
erë që fërshëllen shekujsh,e shtanget hallesh,
e bartet e vyeshmja,
si e krasitur zanit.


…zhurmash bluhen fjalë,
oshëtima,
zgjohen kujtime e përmbysen kohëra,
erë e butë që përkëdhel dushqet,
shkëmbinj e kodrina,
kreh e lëmon qerpikë pishash,
erë e grinjtë që flladit rrugët,
lëviz prej vetit shpirtrat,
erë e largët
si vegim,
erë e acartë që zgjon harabelë,
e sytë përlotur t’i ngrin,
erë dheu prej gjakut tim.


…erë e tribluar mendjesh të mëdyshta,
erë që grykësh lëmshohet altaresh të krisura,
tjerrë si në furkë histori të shkruara,
pranverës në lulëzim,
e ambël,
e idhët,
bekimesh të miksuara,
erë e vendit tim.


erë që shpërpushi trishtimin e ktheu në frymëzim,
zhgulet imtësirash e grindet ngatërruar,
opus që më zgjat jetën,
erë malli që më rrin në çdo zgjim,
firoset e mbytet stinësh ndërruar,
erë moj erë e mullinjtë,
që përthith fshehur
e pastron gjithë zemërimin tim.


…erë që s’ka lagje,
as strehim,
erë rrënjësh në kthim,
erë malli mbledhur në thërrime,
erë e vendlindjes sime.

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT