ZËRI QË NUK U SHUA KURRË
“Topi që shemb edhe kështjellat më të mëdha, është ATDHEDASHURIA”
(Sami Frashëri)
Ende pa e shijuar mirë nektarin e librit “HESHTJA QË FLET”, më erdhi një dorëshkrim tjetër poetik, me një titull edhe më domethënës e sugjestiv “DRENICË ZË I LIRISË” nga ish nxënësja ime shembullore, poetja Valbonë Ahmeti, e cila aktualisht jeton e punon edukatore në Kanada.
Sa u gëzova! Dhe, sërish iu riktheva asaj që pata thënë më herët: Që kur e mora ditarin në dorë, më 4 janar 1980 e derisa dola në pension, më 8 mars 2021, vath në vesh e mbajta mendimin e Eqrem Çabejit: Mësuesia nuk është profesion, ajo është mision!
Po, po, një e vërtetë që nuk e luan dot as topi. Kjo dha rezultate pozitive dhe më doli mirë e mbarë! Tek secila gjeneratë, krahas edukimit dhe arsimimit, mbëltuam edhe dashurinë për artin letrar, i cili, si me krahët e suferinës të shpie drejt përjetësisë! Sa e sa autorë e sa e sa vepra dolën nga ky frymëzim dhe sot kanë bërë emër në mbretërinë e quajtur LETËRSI!
Dorëshkrimin që mu besua ta redaktoja, e lexova dhe e rilexova me akribi fanatiku, duke u kujdesur që kur dalë libër, të jetë sa më i bukur e sa më i kapshëm për lexuesit e të gjitha moshave e niveleve. Brendia e këtyre poezive, përshkohet nga ndjenja të fuqishme e mallit për Atdheun, për heronjtë, për të afërmit, duke zbritur deri në botën e thellë emocionale të perlave poetike për dashurinë sublime, që mban gjallë njerëzimin…
Valbonë Ahmeti, që në hapat e parë, ka krijuar profilizimin dhe individualitetin e vet krijues. Vargjet e saj çdo gjë e kanë origjinale: ato janë vargje të lira, pa kodifikime e rregulla konvencionale, pa strofa të ngurtësuara klasike, pa rima mbytëse e pa ngarkesa tjera teorike e metrike.
Shikuar hollë e hollë, që nga “Poetika” e Aristotelit dihet se, të krijosh do të thotë të jetosh. Letërsia, më bukur së kushdo tjetër, pasqyron botën shpirtërore të njeriut. Duke shkruar, njeriu, le që vetë çlirohet shpirtërisht, por edhe të tjerët i bën të ndjehen mirë dhe ta përjetojnë atë katarsisin e brendshëm ngazëllues aristotelian. Ai që krijon e ka shpirtin e bardhë si bora, ngase arti i të shkruarit të fisnikëron.
Megjithatë, autorja, në librin e sa të dytë, është treguar më kujdesshme, ngase, poezitë e saj i ka ndarë sipas tematikës që trajtojnë. Kështu që, pavarësisht titullit që reflekton më shumë kah atdhetarizmi, ato janë grupuar në tre kapituj apo cikle poetike:
- Atdhe- fuqi hyjnore,
- Derdh vargje dhe
- Fshehtësi shpirti
Poetja Valbonë Ahmeti, duke jetuar tej oqeaneve, me mallin përvëlues të mërgimtares, të gjitha poezitë e kapitullit të parë ia kushton Atdheut, i cili është:
…me rrënjë e trung
me shekuj i trashëguar
Atdhe i diellzuar
(Atdhe i diellzuar)
Ky Atdhe, i mban gjallë mërgimtarët, sepse ai ka fuqi hyjnore dhe vlen më shumë se pasuria:
Kur një ditë mërzitur do të jem
mall për gjurmët e të parëve do të kem
larg atdheut nuk vlen as pasuria
kur shpirtit i mungon dashuria
(Larg gjurmëve të të parëve)
Zemra e saj përherë gulfon me afshe aritmie për dëshmorët e për heronjtë, për shqiptarinë e për trojet e të parëve, për Drenicën e saj, që përherë mbeti ZË i fuqishëm lirie:
Drenicë heroinë
sfidove stuhi dhe rrufe
betuar me shpirt e trup për atdhe
besnikëria e trimave tu
skalitur në kulla guri
kur thirre Liri
Dardanin e mbuloi Nuri
(Drenicë zë i lirisë)
Pena e saj e mprehtë skalit vargje brilante për Kosovën dhe lirinë e saj, për dëshirat e mbytura në liri nga keqbërësit pandërgjegjshëm, për dukuritë e shëmtuara e për ëndrrat e parealizuara. Ajo nuk mund t’i ikën dot tundimit të mallit për vendlindjen e të parëve të saj, për Prekazin heroik e për stërgjyshin e saj, Ahmet Delinë, andaj shpërthen:
Prekaz Kështjellë e Lirisë
nuk trete amanetin e Ahmet Delisë
të mbyllet kapitulli robëri
hape faqen e quajtur Liri
(Prekaz Kështjellë e Lirisë)
Kapitulli i parë me motive atdhetare përmbyllet me vargjet kushtuar trimit të UÇK-së, Zahir Pajaziti:
Për çudi atë ditë filloj të flas Dielli
një armatë yje i ftoi përreth
emrin tim tha ia fal Trimit
të ndriçoj këtë tokë përjetë
(Pishtarit të lirisë)
Sado që libri poetik “DRENICË ZË I LIRISË” lajtmotiv ka atdhedashurinë, akceptuar e qëmtuar deri në thellësitë e mundshme refleksive filozofike, prapëseprapë, këtë penë hulumtuese nuk e lë të qetë përditshmëria jonë ngufatëse, e cila nuk është edhe pa shtegdalje.
Kështu, në kapitullin e dytë DERDH VARGJE, hasim kryesisht vargje përkushtimore. Këtu gjejmë mendime e meditime kushtuar të urtit Anton Çetta, kushtuar Nënës së Botës, nobelistes Nena Terezë, kushtuar profesorit e kushëririt të saj, Nasuf Ahmeti, kushtuar bilbilit të Kosovës, Nexhmije Pagarushës etj.
Paskëtaj ajo shkruan për Reçakun dhe probleme të ndryshme jetësore që preokupojnë gjithë shoqërinë.
Mirëpo, vargje margaritarë, të realizuara artistikisht e me një porosi të qartë, mbesin ato kushtuar poetëve, e cila përfundon me vargjet programatike:
Kur poetëve u lëndohet atdheu
si të krisur harlisën deri n’zenit
për një t’ ardhme të ndriçuar
mbajnë kuvend me yjësitë
(Poetët)
Diskursi i të menduarit, si pjekuri imagjinatave e emocionale, për dukuri dhe fenomene shoqërore, kulmon me një shpërfaqje të një të vërtete që nuk mund ta mohoi askush e që korrespondon me atë thënien e njohur filozofike: Njihe vetveten!
Për fund, si zakonisht, poetja na e ka lënë ëmbëlsirën- vargjet e dashurisë, të futura nën çatinë e përbashkët, me emrin simbolik Fshehtësi shpirti.
Fuqia magjike e dashurisë mban botën pezull dhe e dërdëllisë andej-këndej, duke e vënë në lojë si manare të jetës, e cila, të shumtën vjen nga sytë, që:
…si gryka kanjonësh sytë e tu
më magjepsin me ngazëllejnë
nganjëherë humbas orientimin
pyes vetën nga cili qiell vjen…

(Gryka kanionesh)
Në të përfunduar, pa modesti, më duhet ta them edhe këtë: Nuk ka gjë më të mirë sesa kur sheh refleksionin tënd tek shëmbëllen në brezat e ardhmërisë, pikërisht në rrugën e mësuesisë e të krijimtarisë, siç është rasti me Valbonën! Kjo është ripërtëritje, kjo është mrekulli!
Urime, përgëzime e suksese, Valbona Ahmeti!
