REFLEKSE GRUAJE
Do të doja
Një fushë të tëre
Mbjellë me lulëkuqe ëndrrash
Mëngjesesh,
Ti ngjyej buzët flakë
E të ndez diejt
Gërsheta
T’ia thur rrezet
E mbi kry ti vë
Kurorë mbretërie
Dhe nëse shkrepëtin
Dikund,
Rrufenë
Ta bëj pritë drite
T’më shkēlqejnë sytë
Reflekse gruaje
Që din me dashtë
Butësisht,
Pa frikë moskthimesh
E ikjesh
Dhe atje
Në fund tē saj
Të bardhë timen shpresë,
Të kem një shtëpi ardhërinë
Me mure guximi të fortë
T’mos i shembem
Pasigurive
Egrasitë e kohës
Të mos gërryejnë zemrash
Që ndër ta t’mos lenë
Figura të panjohurish
Tek buzëqeshin
Me fytyra kllounësh
Që shkojnë e vijnë
Në shfaqje demonësh
Dua
Që brënda saj
Frymë e zotit
T’më prijë
Ku dashurinë
Ta pikturoj si Monalizë
Dhe të mund të shkruaj
Në blu të thellë
Qiejt poezi
Që dhe kur të bjerë shi
E sigurt rrëmbyeshëm
Aty rrjedh
Gëzimi im.