Të keqen e këmbës
Vjen e ikën zbathur
me gjurmët te heshtja
shkallë zbret e mua
as fjetur as zgjuar
më vjen t’ia marr këngës:
“… kur m’i zbrisje shkallët
të keqen e këmbës
ma mbajtke kafenë
në mes të pëllëmbës…!
”
Këmbë shoh e pulpë;
dihat nëpër gjumë
po ç’është kjo marrosje,
dëshirë e pashkruar
t’i shtrohem nën gjurmë!
Vjen e ikën zbathur
Shkel a s’shkel përdhe
Por pse gjith shtëpia
Fluturon mbi re
me mallin e puplës?
Oh, ia njoha këmbën
kafenë që mbante
në mes të pëllëmbës,
Zot s’dua të zgjohem…