METAFORË E LIRISË
(Hyra Eminit, heroinës së kombit)
Ç’ hakërrim i madh të erdhi atij agimi të zi,
Kur more hartën e Arbërisë,
Të bërë copë-copë si ta hanin qentë,
Dhe ike me të nën sqetull,
Metaforë e lirisë?
E shteg më shteg pastaj me të në gji ecje,
Atë që prishur dikur n’ zezona të kohës,
Ngricave, furtunave dhe zjarreve,
Që ta ndreqje.
Ç’ janë këto kapela të zeza, the,
Bobo sa shumë blozë paska rënë mbi to,
Tek rrinin mbi trupa si lisa të kërrusur,
Këtë s’ e besoje, jo.
Ç’ janë edhe këto prapashtesa të huaja,
Që qepur i janë gjuhës së Arbërit,
Klithe deri në qiell,
Dua plisa të bardhë, arbërishten dua,
Dua dhe diell.
Dhe bëre pastaj detyrën,
Ç’ mund të bëje më shumë, veç asaj që dite,
Se dheu peshë të ngriti,
Dhe pastaj ike.
Por ja, erdhe sërish,tashmë shkrirë në shtatore,
Pranë bibliotekës,
Që brezat ta lexojnë në sytë e tu,
Librin e madh të jetës.