ROZAFA
( E vërteta mbi legjendën e murimit)
Kjo legjendë
fsheh një sekret,
që e dinte,
Orakulli vetë,
Prandaj,
të tre vëllezërit,
së bashku ngelën,
dhe kurrë BESËN,
ata se shkelën,
fjala BESË kishte vlerë,
po ashtu
dhe fjala NDER,
që të dyja,
kanë shumë kuptim,
dhe nuk blehen
me asnjë çmim,
prandaj të heshtur,
qenë më shumë,
porsi mjegulla
kur zbret mbi Bunë,
të tre vëllezërit
s’kishin më gjumë,
as nuk hanin
e as flisnin,
të kthehej plaku
tre ditë po prisnin,
për tre ditë e tre netë,
se kështu,
kish thënë ai vetë,
se fjala e tij
kishte vlerë,
se kish të bënte
më të shënjtin nder.
Ç’mund të thoshte,
vallë ai,?
por kalaja,
po kërkonte fli,!
kërkon fli,
kërkon Kurban,
po kush vallë,
kët’ peshë e mban,?
se ata,
shkonin shumë mirë,
me njeri-tjetrin,
nuk kishin cmirë,
ishin vëllezër,
të një gjaku,
këtë e dinte,
shumë mirë plaku,
të martuar ishin me gra,
që si ndante,
kurrë as nata,
por,
për njëra-tjetrën,
qenë veç kunata,
në një shtëpi me tre gra,
s’ndërtohej lehtë një kala.
s’do bëhej muri,
kala kurrë,
pa një Kurban,
brënda në mur,
ndërsa e ëma,
një pleqëri,
më shumë si hije,
nëpër shtëpi,
grua e urtë,
shpirt qelibar,
që kishte rritur,
tre djem të mbarë,
djem punëtor,
mjeshtra guri,
kishin BESË
atë BESË prej burri.
Por,
se kishte shoqen,
më e madhja nuse,
që me fjalë,
thante shtatë puse,
Përmbi të tjerë,
të ishte donte,
Si nëpërkë,
që kafshonte,
po ashtu,
dhe nusja e dytë
me fjalë të mira,
të nxirte sytë,
dhe të dyja,
kur bashkë flisnin,
porsi korbat kakarisnin.
më të voglën,
nuk e donin,
për çdo punë
e urdhëronin,
se ish si lule më e bukur,
mbi të tjerat,
porsi fluturë,
Rozafë quhej kjo bukuri
s’kish të dytë
në atë malësi,
ishte dritë,
nëpër shtëpi,
të gjithë djemtë,
në radhë rrinin
tek burimi kur gratë vinin,
që Rozafën të shikonin,
një pikë ujë,
prej saj e donin,
çdo natë ëndërra
për të shikonin,
por Rozafa,
qe xixëllonjë,
Vetëm burrin,
do të ndriçoj,
dhe për çdo mbrëmje,
do të shkoj,
tek burimi,
që ujë të mbush,
se nuk shkonte
tjetër askush,
kur dritë e hënës,
i binte n’gushë.
gushë e saj,
më shumë shkëlqen,
flladi i mbrëmjes
e rrëmben,
por vështrimin,
asnjërit s’ja kthen,
ajo e gjora,
ku ta dinte,
se dikush nga pas,
po i vinte,
dhe në dorë
kërkon ta shtinte.
Me tre vëllezërit,
punonte ai,
thyente gurë me qysqi,
djal i fortë,
djal i ri,
tek burimi i vjen pranë,
por Rozafa larg e mban,
s’ishte vendas
nga këto anë,
në k’to anë rruga e pruri,
se punonte,
si mjeshtër guri,
që nga larg,
rrugën kish marr,
dhe nuk dihej,
nga kish ardhë,
në vëndin e tij,
s’kishin vlerë,
fjala BESË
dhe fjala NDER.
Por kishte ditë,
ndoshta dhe muaj,
që e lakmonin,
dy sy të huaj,
ai çdo mbrëmje aty vinte,
që Rozafën
n’dorë ta shtinte,
por ajo,
s’po jepte sy,
dhe kur ishin,
vetëm të dy,
me bucielën
që n’sup e mbanë,
fluturonte porsi zanë,
që të ikte sa më parë,
se djalin dëgjon
duke qarë,
ishte i vogël,
dhe sisë kërkon,
prandaj më shumë,
ajo nxiton.
Me errësirën,
mbrëmja po zbret,
dhe hëna fshihet
ngadalë mbi retë,
një korbi i zi,
me zë gërthet,
edhe pak,
dhe do të arrij,
dëgjon zërin,
qanë një fëmijë,
s’ka më kohë,
për të menduar,
por rrëzohet duke vrapuar,
dhe një ” ah,”
nga shpirti i doli,
iu bë,
se dikush i foli,
por s’qe tjetër,
një zog nate,
vrapon më shpejt,
në monopate,
në shtëpi,
të saj kur erdhë,
me fytyrën,
dyll të verdhë,
dhe me flokët
të shpupurisur,
me xhubletë,
gjysëm të grisur,
kur në rrugë qe rrëzuar,
shami e kokës
kish fluturuar,
prandaj dukej e tmerruar,
kishte hyrë,
siç hynë era,
dhe me vrull,
i hapet dera,
shpejt bucielën,
në prag lëshoi,
mori djalin e përqafoi,
nxori gjoksin,
dhe sisë i dha,
por pika e lotit
mbi buzë i ra,
me nina-nana e ledhatoi,
shpirtin djalit i’a qetësoi,
e mbuloi,
në djep e vuri,
duke e tundur,
gjumi e zuri.
Por kunatat,
kur ashtu e panë,
hapën gojën,
çfarë nuk thanë,
hapën fjalë anembanë,
se paska qenë,
me jaranë,
gojët e liga,
shpirtin i’a vranë,
por,
një vendim,
ajo vetë e merr,
kështu e gjallë,
s’kish më nder.
se në një ëndërr,
i kishte dalë,
vetë Orakulli,
i kish thënë një fjalë,
-Ti këtu,
s’ke më vend,
do të hysh në legjendë,
si e gjallë do të mbetesh,
me mijëra vjet,
s’do të tretesh,
e murosur aty në mur,
e vetflijuar,
në shkëmb dhe gur,
Rrezja e diellit
bie mbi gurë,
dridhej guri përmbi murë,
prisnin vëllezërit,
të shqetësuar,
mos vallë plaku
do i kish harruar,
një këshillë prisnin të tre,
si t’vepronin,
e lehtë nuk qe,!
kur nga larg,
plakun e panë,
që të tre punën e lanë,
dhe u ulën,
që të katër,
Rreth e rrotull si në vatër,
i sheh plaku një nga një,
por s’po thoshte,
akoma asgjë,
dhe ai ndoshta,
e kish të vështirë,
për t’mos thënë,
një fjalë të mirë,
ndoshta ishte një mëkat,
që të flijohej,
njëra nga gratë,
më e bukura,
që ish si zanë,
pse të bëhej ajo Kurban,?
dhe si në gjëmba,
plaku po rrinte,
si mund t’ja thoshte,
pse muri binte,!
ishte fshehur aty tre netë,
kur e pa,
me sytë e vetë,
kur në tokë,
rrëzohej muri,
nga zëmërimi i një burri,
që me ata,
ditën punon,
dhe natën vonë,
muret rrëzon,
kur s’kish hënë,
me natën pus,
kur binte mjegulla,
mbi Valdanuz,
vetë i huaji e rrëzonte,
që kalaja,
mos t’mbaronte,
me Rozafën,
e kish zënë meraku,
-po u tregonte,
ngadalë plaku,
prandaj i huaji,
donte të rrinte,
që në dorë,
një ditë ta shtinte.
por këtë,
se arriti kurrë,
prandaj natën,
shëmbte murë,
por tani,
kjo punë mbaroi,
se i huaji
iku dhe shkoi,
dhe s’do të kthehet më këtu,
por la të keqen,
ai tek ju,
se la fjalët anembanë,
që Rozafën,
në shpirt e vranë,
ju la turpin aty në derë,
që nuk shlyhet,
me asnjë vlerë,
por paguhet me një çmim,
me Kurban,
me një flijim,
të lidhni besën,
një nga një,
mos tregoni kurrë asgjë,
kjo për ju,
do jetë sekret,
dhe s’do t’ketë,
tjetër t’vërtetë,
të tre besën,
fort ta mbani,
se Rozafa
do jetë kurbani,
kur fjalën plaku e mbaroi,
të vogëlit vëlla,
loti i pikoi,
u drodh trupi,
siç dridhet mali,
kur mbi Bunë binte zalli,
se Rozafën shumë e donte,
por,
këtë gjë,
dot se ndalonte,
se të tre ishin betuar,
dhe Rozafa,
duhej flijuar,
sepse NDERI
kish më vlerë,
se sa turpi mbetur në derë.
por ky sekret,
në murë do t’ngelin,
prandaj besën,
s’mund ta shkelin,
Një nga një,
nga plaku u ndanë,
dhe asgjë,
mes tyre s’thanë,
nata vinte,
me muzgun pranë,
dhe qe një natë,
më shumë e gjatë,
s’fjetën burrat,
por as gratë,
dhe Rozafa gjithashtu,
mbante djalin,
përmbi gju,
gjumë po flinte,
si ëngjëll djali,
në grykë të Kirit,
oshëtinë mali,
dhe Rozafën,
s’e zinte gjumi,
pika e lotit,
në faqe i humbi,
vështron djalin,
kur po flinte,
dhe pyeste veten,
si mund ta linte,?
donte ajo,
ta rriste vetë,
i madh të bëhej,
si një mbret,
këto mendonte,
Rozafa e shkretë,
Ajo ditë,
e zezë qe,
punonin n’heshtje,
që të tre,
zhurmë e çekiçit,
mbi gur ndjehej,
dalëngadalë,
qielli po zbehej,
një re e zezë ,
vërdallë po vinte,
koha e drekës po arrinte,
ah, moj drekë,
mos ardhsh kurrë,
se po le,
të ve një burrë,
ah, moj drekë,
drekë e shkretë,
po ndan djalin,
nga nëna e vetë,
ah, kjo gjë,
si mund të ndodh,
vëllai i vogël,
në shpirt u drodh,
kur pa gruan,
që aty erdhë,
në fytyrë,
u prish u zverdhë,
dhe Rozafa e kuptoi,
e fort si burrë,
në këmbë qëndroi,
-qëndro im Zot,- me zë i foli,
si oshëtimë zëri i doli,
si oshëtimë,
në grykë të malit,
kur i tha: -Amanet,
-jetën e djalit,
se kalaja më thërret,
kunatit të madh,
ajo po i flet,
iu afrua ngadalë pranë,
-merrmë kunat,
më bëjë Kurban,
-një sy jashtë,
kunat t’më rrijë,
të shoh djalin
kur të më vij,
kur të më vij,
këtu do m’gjej,
me gjirin jashtë
që ta ushqej,
dhe një dorë,
jashtë ma lerë,
ta përkëdhel kur të flerë,
-më muros,
tani kunat,!
se s’do t’kisha,
unë tjetër fat,
kështu ka qenë,
për mua jeta,
sekret le t’mbetet
gjithë e vërteta.
U nxi qielli,
se dualën retë,
u drodh toka si tërmet,
një mjergull e lehtë,
bije mbi Bunë,
kur Rozafën,
në mur e vunë,
e bënë fli,
ashtu si donte,
që kalaja të jetonte,
me Rozafën mijëra vjet
vetë legjenda
kështu na fletë
dhe kjo traditë,
kështu ka ngel,
asnjë BESËN,
s’mund ta shkel,
se fjala BESË,
dhe fjala NDER,
për shqiptarët ka shumë vlerë,
është shumë e vjetër
kjo traditë,
me e vjetër se perënditë,
që kur pellazgët
të parët tanë,
ishin zotër,
anembanë.
