Ka nisur vjelja e patates në fushën e Maliqit. Kjo është patatja e cila ka dhënë rendimentin më të lartë 5 vitet e fundit në fushën prodhimtare, ndërkohë që fermerët shprehen të kënaqur me çmimin dhe me tregun, ndryshe nga çfarë ndodhi me grurin, misrin dhe elbin ku ata nuk kanë patur mundësi të fitojnë, mesa duket patatja është shpresa e tyre ekonomike. E vetmja gjë që i kërkojnë shtetit janë subvencionet.
“Prodhimi varet nga parcela por shkon deri tek 50, i kënaqshëm. Çmimi shumë i kënaqshëm është. çmimi është i mirë, si sivjet nuk kemi shitur ndonjëherë, gjithë këtë punë e kemi ndërtuar me kredi nëpër banka, nëpër karburante. Sivjet shyqyr, por ja njëherë në 20 vite!
Ata ne na konkurrojnë se kanë subvencione të mirëfilltë pas kunjtaleve, këtu i futin afrofe. Të bëjë subvencione për kile, kisha 20 hektarë grurë, 22 milion lek ishin qeratë”- është shprehur fermeri Agron Guri.
“Rendimenti është i mirë dhe çmimi, mirë është, ka 3 vitet e fundit është mirë, në vend është shitur patatja ndërsa qepa është shitur në treg. Është shumë e kërkuar, fat që na e sollën këtë farë”– ka thënë një tjtër fermer i zonës, Astrit Xhangoli.
Për specialistin e bujqësisë, z.Aurel Zenullari, fusha e Maliqit është ndër më të rëndësishmet përsa i përket prodhimit të patates ndërsa subvencionet janë çelësi kryesor për të ardhmen e fermerëve.
“Rendimenti këtë vit ka qenë shumë i kënaqshëm, varion 40-60 kunjtal për dynym dhe çmimi është i kënaqshëm, mesatarisht 50 lekë për kilogram. Në bashkinë Maliq janë mbjellë rreth 876 hektarë patate. Duhet të luhen mekanizmat e tregut në anën pozitive të fermerit, duhet të vazhdojë subvencionimi dhe duhet të ketë subvencione për mekanike bujqësore, magazina dhe gjithçka që lidhet me bujqësinë“- ka thënë specilisti i bujqësisë, Aurel Zenunllari.
Qarku i Korçës ka të mbjellë 2191 hektarë sipërfaqen me patate, teksa prodhon rreth 68 mijë ton patate ku vetëm fusha e Maliqit nxjerr më tepër se gjysmën e prodhimit.