Stuhia ulërin xhamave sonte,
imazhi saj tejdukshëm laget në shi,
rrëzëllen si gravurë nën një neon,
ku do të jetë vallë ajo tani?!
Befas m’u shfaq shkallëve të teatrit…
një ditë me të bruztën dekolte,
ngrohej hapësira me qeshjen e saj,
sikur t’i zinte diellit vendin atje!
Ajo më vinte kufirin te thana, po
unë ia puthja gjurmët me dëshirë,
ajo ish si t’i tregosh arat babait,
s’bëhej fjalë ta lidhje me zinxhirë!
Ajo kish bukuri krejt natyrale,
buzë të mjalta, flokë prej ere,
krizantemë që ngatërronte stinët
që shpërthente dhe në ditë pranvere!
Sytë e saj dy pyje të gjelbër,
fytyra – porcelan i farfuriste!
Joshur e pija në një gotë kokteji:
një recetë e thjeshtë, që ngrinte mite!
Si të isha i rrjedhshëm pa qendër rëndese,
rrotullohesha rreth saj si satelit!
Ajo një yll me aureolë të magjishme,
zbritur në këtë planet gabimisht!
Edhe kur flinte takat e saj trokitëse,
rrezatonin heshturazi personalitet!
Befas një ditë u shndërrua në arie
me zërin e saj dhe takat instrument!
