MË KE THANË
Më ke thanë
se në mes s ‘ mund të na hyjë as babë e as nanë,
se pa mua për ty s ‘ nxenë as diell, as hanë,
oh, më ke thanë
se në mes s’ do t’ mund të na hyjë motër as vëlla,
se pa mua për ty dashuri tjetër s’ ka,
mashkull
që të mirën e të keqen s’ e ndan!
Më ke thanë,
se yjet për ty pa mua s’ shkëlqejnë,
se rrezet e diellit pas meje s’ të nxejnë,
lajkatar,
më ke thanë “Pritmë, mangësive sa t’ u vë kapak,
se pa ty, në kulm rinie e ndiej veten plak,
tradhtar!
Më ke thanë
se qiell e tokë bashkë të bëhen s’ ke me më lanë,
se do të jem ushqim yti edhe nëse je pa ngranë,
njeri i panjeri,
ditën që s’ ta dëgjoj zërin pa frymë do të mbes,
nëse s’ më do ti pranoj të vdes,
e sot gjithçka të bardhë e ktheve në zi!
Gjithçka njëri -tjetrit
i kemi thanë ne të dy,
që mjaltë e helm dikur,
në një pjatë të përbashkët kemi ngjy,
e sot e as kurrë më s’ do të mundemi
ta shohim njëri-tjetrin në sy!