Sunday, December 28, 2025
BallinaVitrina e libritZymer Mehani-Fragment nga romani “Pranvera e Zgjimit”, PRINTING PRESS, Prishtinë 2023

Zymer Mehani-Fragment nga romani “Pranvera e Zgjimit”, PRINTING PRESS, Prishtinë 2023

Fragment nga romani “Pranvera e Zgjimit”, PRINTING PRESS, Prishtinë 2023

(Me rastin e përvjetorit të demonstratave të 1 prillit 1981)

Për studentët kishte qenë e qartë se për të dalë te udhëkryqi i parë afër mensës dhe për të demonstruar tutje drejt qendrës së Prishtinës, ata ishte dashur që paraprakisht të përlesheshin me kordonin policor në dalje të konvikteve.

Studentët pas shpartallimit të kordonit policor kishin arritur të dilnin te udhëkryqi afër mensës së tyre. Prej këtij momenti demonstrata kishte vazhduar brenda të njëjtit qark rrugor si në demonstratën e 26 marsit.

Demonstrata e 1 prillit kishte filluar me thirrjet “Kosova Republikë”, dhe me këngën që ia kishin filluar vajzat:

“Besa besë, besën e kem dhanë

Për Kosovë do t’desim të tanë!…”

Kënga e tillë ishte kënduar pastaj shumë herë edhe në demonstratat e viteve në vazhdim. Në momentin kur studentët ishin gjendur në sheshin kryesor të Prishtinës, ata, si edhe më 26 mars ishin ndalur enkas para Komitetit Krahinor të Lidhjes së Komunistëve, në mënyrë që pikërisht para këtij institucioni t`i brohorisnin me tërë fuqinë e tyre kërkesat politike, në radhë të parë kërkesën “Kosova Republikë” dhe pas saj edhe parullat e kërkesat tjera si edhe me 26 mars.

Nga të gjitha drejtimet në qendër të kryeqytetit kishin mësyrë e rridhnin tamam si përrenj vërshues e të rrëmbyer rrëke njerëzish, nxënës, studentë e punëtorë…

Në një moment, derisa sheshi qendror i Prishtinës kishte qenë përplot me demonstrues, një student i veshur si punëtor me një kasketë në kokë, për të mos e njohur agjentët e sigurimit të shtetit, ishte ngjitur në njërin nga drunjtë dekorativë të sheshit dhe i ishte drejtuar masës me megafon, duke e inkurajuar atë të demonstronte vazhdimisht derisa Jugosllavia një ditë t`ia njihte Kosovës të drejtën për të qenë republikë. Më vonë ishte marrë vesh se ai kishte qenë njëri prej pishtarëve të ngjarjeve të Kosovës të vitit 1981, Ylljet Gjilani, i cili më pas ishte arrestuar dhe ishte dënuar me 15 vjet burg.

Në gazetën “Rilindja”, të datës 27 mars 1981, që assesi nuk ishte në vullnetin e shqiptarëve të Kosovës, shkruhej:

«Dënojmë çdo aktivitet armiqësor, e jemi të gatshëm si kurdoherë që të japim kontributin tonë në betejën kundër çdo veprimtarie armiqësore.

Qytetarët dhe të gjitha strukturat shoqërore-polilike të Bashkësisë I Lokale në Prishtinë, vendosmërisht gjykojnë sulmin armiqësor ndaj bashkësisë sonë, dhe unikë në kursin e LKJ, me të gjitha forcat vendosmërisht do të ballafaqohen me çdo armik të jashtëm a të brendshëm».

Shtypi i huaj shkruante:

“Trazirat rifilluan më 1 prill në Prishtinë me bojkotin e

mësimit nga disa studentë dhe nxënës të shkollave të mesme. Rreth orës 13:00, tri grupe demonstruesish u zhvendosën drejt qendrës së kryeqytetit, duke iu bashkuar gjatë rrugës nxënës shkollash dhe disa punëtorë. Sipas një dëshmitari okular britanik, dhuna filloi kur me turmën u bashkuan punëtorët dhe kur demonstruesit u tërbuan duke thyer xhamat e dritareve dhe duke u vënë flakën makinave dhe një shtëpie, ndërkohë që marshonin drejt ndërtesës së Komitetit Krahinor.

Grupet, secili i përbërë prej 600-800 vetash, u grumbulluan rreth orës 15:00, përpara ndërtesës, ku valëvitnin flamuj dhe thirrnin me zë të lartë parulla, të cilat qarkullonin më shirita letre, si: “Kosova Republikë”; “Jemi shqiptarë, jo jugosllavë”; “Nuk e duam kapitalizmin, duam socializmin”; “Poshtë revizionizmi” dhe “Duam Shqipërinë e bashkuar”.

Duke folur para një grupi të ftuar gazetarësh të huaj, në Prishtinë, më 17 prill, kryetari i Komitetit Krahinor të Kosovës tha:

“Të gjithë organizatorët e mbështetësit e demonstratës i përkisnin komunitetit shqiptar. Edhe punëtorët dhe studentët janë nga ky komunitet dhe aty janë përfshirë gjithashtu edhe disa anëtarë të Lidhjes së Komunistëve”.

Ai dha statistika të shqyrtuara duke treguar: “Vetëm 75 civilë ishin dëmtuar dhe 8 ishin vrarë, ndërsa 131 anëtarë të forcave të sigurisë ishin dëmtuar, katër prej tyre rëndë dhe një ishte vrarë, të gjithë shqiptarë. Ndërkaq, 29 njerëz ishin burgosur nën akuzën e të qenit organizatorë të demonstratave, ndërsa 194 njerëz ishin dënuar se kishin marrë pjesë në demonstrata dhe veprime të tjera armiqësore”.

Vonë pasdite, qielli u pastrua nga retë e tymit prej gazit lotsjellës dhe dielli i kuq porsi disk i zjarrtë duke përshkuar pëlhurën e shqyer të reve që i shtynte era nga perëndimi, po varej me ngadalë prapa kodrave përreth. Gjithë kryeqyteti mbante erë gazi lotsjellës.

Mbrëmja pranverore zbriti rrugëve të kryeqytetit.

***

Pasi bëri ca hapa, Shqipdon Kosova u ndal dhe u kthye prapë në fakultet. Nja një çerek ore qëndroi aty në sallën ku mbaheshin leksionet, përpara katedrës. Në rrugë dëgjoheshin boritë e ngjirura të automjeteve të policisë.

Megjithëse qe vonë, diku pas orës 16:00, rrugët ishin plot me njerëz. Ata flisnin me njëri-tjetrin pa e çarë kokën për patrullat policore që ishin pozicionuar në udhëkryqe e në çdo qosh të qytetit.

Shqipdoni la sallën e ligjëratave dhe doli në rrugë, mblodhi supet sikur të mërdhinte dhe vazhdoi të ecte nga e shpinin këmbët. Pastaj zuri të nxitonte. Në një udhëkryq, mu në rrëzë të veshëve i kumboi ulërima e mprehtë e frerëve të një automjeti policor. Shqipdoni fërgëlloi, muskulatura nisi t’i punonte më shpejt sesa mendimet e tij, prandaj u hodh mënjanë. Pikërisht, përpara tij u ndal një kamion i policisë. Nga frenimi i menjëhershëm, pjesa e pasme e karrocerisë së kamionit shkoi nga një anë. Kopertinat e makinës lëshuan tym. Shoferi nxori kokën nga makina dhe i bërtiti Shqipdonit me zemërim:

— A e di se veç sa s’ka filluar ora policore, e ti po sillesh si mbret!?

Shqipdon Kosova, si trim që ishte i tha shoferit polic:

— E vërtetë është se jam mbret në vendin tim! Këtu të gjithë shqiptarët janë mbretër, ngase rrojnë në tokën stërgjyshore…

Pasi bëri disa hapa përpara, Shqipdoni e mblodhi veten dhe në ato çaste i shkuan mornica në trup. Tëmthat iu djersitën. Vështroi këmbët, duart dhe u dridh, jo nga frika, por nga zemërimi, që ia shkaktoi shoferi polic. Përgatitej të bënte diçka… por intuita i tha të mos ngutej në veprime, ngase mund të ndodhte çdo e keqe, e ndoshta për të nuk do të dihej a kishte jetuar ndonjëherë apo jo.

Pa një pjetore, në të cilën u fut, ngase ishte edhe i lodhur dhe u ul pranë një tryeze të vogël. Kamarieri po e pyeste me çfarë ta shërbente, por Shqipdoni s’foli asnjë fjalë, veçse e tundi kokën disa herë. Pastaj përpara kamarieri ia vuri një nes-kafe. Këmbët i qenë prerë, si kurrë ndonjëherë tjetër… Aty brenda ndjeu një ngrohtësi të ëmbël. Kundruall Shqipdonit po qëndronte një mesoburrë me fytyrë të buhavitur, i cili e kishte mbështetur grushtin te faqja dhe ashtu po rrinte. Ai po e vështronte Shqipdonin me ata sy plot gjallëri e zgjuarsi.

— E vërej se jeni i shqetësuar, miku im, — i tha Shqipdonit ai, — por kjo është pranvera e zgjimit. Shekulli i mugëtirës për ne shqiptarët do të përfundojë.

Fliste si me përtesë, pa pikë ndjenje, sikur të fliste për diçka krejt të rëndomtë.

— Jeta, o mik i dashur nuk është edhe aq e lehtë sa ç’e kujtojmë, — i tha Shqipdon Kosova atij.

Bashkëbiseduesi rrudhi hundën, vështroi rreth e rrotull dhe, duke kapsitur sytë, tha:

— Keni të drejtë në këtë që thuani, o mik. Ndryshimi duhet të bëhet, kuptohet në interes të shqiptarëve dhe të Kosovës. Drejtësinë s’do të na e sjellin në pjatë. Për të duhet sakrifikuar…

Kështu, edhe në mbrëmjen e 1 prillit “ngadhënjimtarët” e vetëm që lëviznin lirshëm rrugëve të Prishtinës ishin policia dhe qentë endacakë.

Ishte orë policore, prandaj përjashta s’kishte këmbë njeriu.

Lajmet e mbrëmjes të televizionit të Prishtinës kishin paraqitur skenat e përleshjes së studentëve me policinë. Televizioni qendror i Jugosllavisë në Beograd duke paraqitur skena të njëjta, kishte raportuar se “nacionalizimi dhe irredentizmi shqiptar në Kosovë kishte marrë hov”. Figura politike të Serbisë e të Jugosllavisë ishin shprehur ashpër dhe me kërcënim kundër të ashtuquajturit nacionalizëm e irredentizëm shqiptar, të cilin kishin thënë se do ta luftonin të gjithë së bashku. Shqiptarët gjithandej Kosovës i kishin përjetuar të gjitha këto me indinjatë e zemërim.

Kështu, skenat e demonstratës së 1 prillit e kishin alarmuar tërë Jugosllavinë. Opinioni publik jugosllav kishte parë për herë të parë demonstrata aq masive dhe përleshje aq të ashpra midis të rinjve dhe policisë. Shumëkush kishte menduar se në Kosovë do të luftohej shumë shpejt edhe me armë!

Nata midis 1 e 2 prillit për Prishtinën kishte qenë një natë plot shqetësime dhe ankthe. Të shqetësuar ishin studentët, që nesër do të demonstronin sërish, të shqetësuar ishin qytetarët e thjeshtë shqiptarë, që i kishte përfshirë vala e revoltës, dhe të shqetësuar ishin punëtorët, që kishin tentuar të marshonin drejt Prishtinës për t`iu bashkuar demonstratës, por që ishin ndaluar nga qindra forca policore, duke ua zënë pritën te porta kryesore.

Asnjëherë nuk kanë qenë kaq shumë njerëz në sheshet e rrugët e kryeqytetit. Ata ndiçnin fjalimin e Shqipdon Kosovës, i cili po fliste ngadalë e me vendosmëri para masës protestuese. Ai ua përsëriste kolegëve të tij studentë dhe pjesëmarrësve të tjerë mendimet e tij për shfrytëzim ekonomik të Kosovës dhe të shqiptarëve; për varfërinë, gjendjen e mjerueshme, si dhe për të gjitha padrejtësitë që shteti i huaj po ushtronte ndaj popullit tonë.

Ai ishte një shok i mirë, punëtor e besnik i shkonte fjala kudo në mesin e rinisë studentore. Të rinjtë i bindeshin fjalës së tij fare pa hezitim. Ai zakonisht vishej si pa kudes, në mënyrë elegante. Zakonisht vishte farmerka.

— Këtu është atdheu ynë,- tha ai dhe sytë iu mbushën me lot. — Historia e popullit tonë është e mbushur plot me luftëra dramatike, plot me akte heroizmi të bijave e bijve atdhetarë. E tani, rinia jonë studentore është pë regjimin armiku më i rrezikshëm, ngase ajo po i tregonte detarit me kompas rrugën e drejtë, nëse ai dëshiron që të mos i përmbyset anija.

Kosova gjatë shekujve pati heronjtë e saj, tradhtarët e saj, renegatët e saj dhe në numër shumëfish më të madh, viktimat e saj…. në shpatullat e të cilave rëndoi prore shpata e padrejtësisë nga të huajtë, që ishin gllabëruesit e trojeve tona arbërore, — tha Shqipdon Kosova. Ai mund të fliste me orë të tëra për këta heronj e martirë, ngase ata u sakrifikuan për lirinë e popullit.

— Hordhitë e para serbo-sllave u dukën në këto vise shumë shekuj më parë (diku në shek.VII), aq sa është vështirë të thuash se në ç’kohë. Ata rronin asokohe nëpër kasollet e tyre, që i ndërtonin në tokat tona, në rrëzë të maleve tona e në faqe të shpateve tona. Ata, porsi ujq të uritur, me pabesi silleshin rreth e rrotull trevave tona. Në këto vise ata shpesh e përgjaknin trollin me gjak shqiptari. Këto histori s’duhet harruar asnjëherë, sepse pastaj historia mund të na përsëritet…. ky popull i ka luajtur tragjeditë në skenat më të mëdha të luftës. I ka vënë gjoksin furtunave e rrebesheve të historisë. E ka gatuar me duart e tij dhe ka luajtur prore dramat e tij të përgjakshme gjatë shekujve. Prandaj, ne s’kërkojmë asgjë tjetër, as më pak e as më shumë: kërkojmë që Kosova jonë të jetë republikë… — E masa e demonstruesve menjëherë pas tij, shpërtheu si në kor:

— Kosova Republikë! Republikë, kushtetutë, ja me hatër ja me luftë!…

Posa e kreu Shqipdon Kosova fjalën e vet, filloi të flasë Shqipe Flamurasi:

— Këto fjalët e tua, Shqipdon Kosova do të thonë shumë. Pushteti jugosllav e serb është kundër nesh si etni me origjinë jo jugosllave. Ne nuk jemi kundër askujt, por jemi kundër shtypjes e shfrytëzimit, kundër varfërisë e pabarazisë së shqiptarëve në këtë krijesë artificiale, të quajtur RSFJ, — përfundoi ajo.

— Ata që s’duan të kuptojnë, do të thonë se ne jemi nxitësit për masat e gjera të studentëve dhe të të tjerëve që të ngrisin krye, — tha Trim Drenasi.

— Le të thonë çfarë të duan, — iu përgjigj Shqipdon Kosova.

Gjakftohtësia e tij shprehte edhe guxim, edhe vendosmëri për të mos reshtur së vepruari për çështjen kombëtare.

Trim Drenasi buzëqeshi dhe e dinte fare mirë se Shqipdoni ishte hero me përvojë dhe trimëri. Ai tha:

— Ne nuk jemi kundërrevolucionarë, irridentistë, as armiq të askujt, por jemi shqiptarë të Kosovës, e që po e ndiejmë dhe po e përjetojmë padrejtësinë.

Në fytyrën e Shqipdon Kosovës vërehej vuajtje, që e ndiente në shpirt, dhe tha:

— Ke të drejtë! — dhe fjalët e tij e prekën në zemër.

— Të gjithë ne jemi të përbuzur, të fyer e të nëpërkëmbur nga pushteti i padrejtë i tiranit, por jemi prore të pathyeshëm, — tha Shqipe Flamurasi.

— Do të vijë dita që do të ndryshojë çdo gjë, — tha Shqipdon Kosova e pastaj heshti një copë herë, ndërkohë sërish zuri të fliste. — Ne nuk duhet ta humbasim asnjëherë shpresën. Do të shkojmë përpara. Një gjë e tillë kërkon shumë sakrifica, por sido qoftë do të shkojmë gjer në fund, e për këtë gjë s’duhet pasur as dyshimin më të vogël, — tha ai dhe në çast e mbuloi një ndjenjë trishtimi.

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT