Thursday, February 5, 2026
BallinaVitrina e libritCikël poetik me vargjet e poetit Imer Hysaj

Cikël poetik me vargjet e poetit Imer Hysaj

IKIN VITET
Nëse vitet e mia do i thirrja në rresht
Shumica prej tyre më binden
Edhe ata me të cilët s’u mora vesht
As ata, nga frika s’më fshihen.


Pata vite të arta, të qeta, të lumtura
Mes dashurisë veten ndjeja mbret
Siç pata vite pothuajse te humbura
Të tjerë që jo rrallë më vunē nē siklet.


Shumicës së viteve u bëra rreshtore
Vetë i drejtova si desha, majtas, djathtas
Siç pata vite si zhgarravina në fletore
Që të revoltuar më dilnin haptas.


Pata vite të lulëzara si pemët në prill
Siç pata shumë vite plot fruta vjeshte
Pata vite që ngelën memecë për çudi
Që su dhashë frymë, i lashë në heshtje.


Kalova vite pse jo, të acarta
Jo nga moti, nga njerëz pa zemër
Që s’ma linin vrapin, suleshin me të katra
Në mos kokën, të më thyenin këmbën.


Ikin vitet, nuk u’a marr merak
Vetë i jetova, qetë dhe çmendurisht
Ndjesë viteve që u hyra në hak
Respekt viteve që kalova lumturisht.

SMIRXHINJTE

SMIRXHINJTE
Nuk lënë pa përgojuar askënd smirxhinjtë
Nuk lënë pa përbaltur me fjalë njeri,
Jetën e tjetrit gërryejnë si kepucën minjtë
Dhe kurrë s’kan guxim të shohin në sy.


Janë të përshtirshëm keq smirxhinjë
Si qyqja vezët në fole të tjera hedhin fjalët,
Sa për shtat ju shkon fjala faqezinjë
Si kostum u rri nofka “të përdalët”.


Janë të përshtirshëm keq smirxhinjtë
Shpirti meskin si lë të arrijnë gjë në jetë,
Por le të gërryejnë si këpucën minjtë
Në gropën që hapin do të bien vetë.

FJALET SIPERORE
Janë ca fjalë në shkallën sipërore
Ndonëse nuk kanë tituj dhe grada,
Dikush i përdor, si fjalë dashurore
E dikush tjetër i përdor ato, si lajka.


“Je më i miri” është vërtet vlerësim
Kur i thuhet atij që rrezaton mirësi,
Por kur i thuhet idiotit, s’ka më kuptim
Apo, atij që shquhet veç për djallëzi.


Ka fjalë, që shprehin shkallë sipërore
Janë fjalët që vetëm për dashuri flasin,
Nipin që mban në krah a lehtas për dore
E vlerëson natyrshëm: “mjalti i mjaltit”


Fjalët, që i thotë një zemër nëne
Për bijtë e bijat s’janë thjesht metafora,
Ato janë fjalë, që s’duan komente
Janë fjalë që dalin, si mjaltë, nga goja.


Ka fjalë, vërtet në shkallën sipërore
Që thuhen në kohën e vendin e duhur,
Janë fjalët e ngrohta, si erë pranverore
Fjalë, që ulen në zemër, si mbi lule një flutur…

QYTET I HAPUR
Ti eja në qytetin tim të praruar
si vizitor i rrallë sodite skaj më skaj
për të mos vonuar
portën e gjen hapur,
shkruar mbi të: “vizita pa orar”.


Ti eja shuaje etjen me ujë të kristaltë
shijoje sofrën e mikpritjes shtruar dashuri
e do thuash pastaj
“vallë ç’qe kjo ëndërr e bardhë
te ky qytet i hapur ku të njoha ty”.


Ti eja sodit lugina e kodrina
Shijoje ngrohtësinë e tokës së shenjtē
e në thënsh “u ndeza, prush mu bë fytyra”;
ta dish ka një një gurrë,
ta kthesh ti në legjendë.


Ti eja si një vizitor i rrallë
si përjetim i bukur, në qytetin e praruar
në librin e shënimeve pastaj
do shkruash ngadalë
“me këtë qytet mbetem përjetësisht i dashuruar”

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT