Sa mall kam të shtrihem në dhomën e ndenjes,
atje në shtëpinë e prindërve të mi!
Dhe dremitje e ëmbël befas të më marrë,
në ëndërr të më shfaqet vetja fëmijë!
Të vij në shtëpi me doçkat e palara,
me ballin bërë pis me mëngët e ngrëna!
Të ha shpejt e shpejt nja dy të shara,
“Ku ishe?!” -thotë babi, “Je bërë pis!” -thotë nëna!
Pastaj të dal rrugës për në shkollë,
të hedh pak parfum, mendjen mos e vras!
Nga cigarja e mëngjesit të më vijë një kollë,
e pas orës së parë të hyj në gjimnaz!
Të porosis kafen bashkë me konjak,
me shokët shpesh e bënim këtë taktikë!
Fshehur cigaren ta pinim me merak,
e mungesë të merrnim në matematikë.
Do kalonin shumë dimra e pranvera,
disa nxënës të dobët, disa ekselentë!
Më vonë tabelën të qeshur të lexonim:
“Mirësevini të dashur studentë”
Te ky provim s`do shkoj, se gjumë më flihet
më mirë në sezonin e vjeshtës ta jap!
Më vonë kafenë do pi, se po më pihet
andej nga dreka shkoj në seminar prapë!
Do iknin shpejt vitet shkollës,
kujtimet do linim mureve të saj!
Përballë jetës duke buzëqeshur do dilnim,
e jeta vetë do na bënte pis pastaj!
Se treni i jetës shpejt do na rrëmbente,
me djallëzira dhe rryshfete!
Ishim të rinj dhe bashkë mendonim,
e sot gjithkush mendon për vete!
Befas në gjuhë të huaj dikush më flet,
përmendem dhe qesh me ëndërrimin tim!
Sa shumë kujtime paskam për të treguar,
akoma më shumë kur jam në emigrim!
~ Gerti Mulla ~