Thursday, January 22, 2026
BallinaSportSi zakonisht, Real Madridi përmbys çdo gjë në fund dhe kualifikohet në...

Si zakonisht, Real Madridi përmbys çdo gjë në fund dhe kualifikohet në finale

Real Madridi është finalisti i dytë i këtij edicioni në Ligën e Kampionëve.

“Los Blancos” triumfuan 2:1 në shtëpi ndaj Bayern Munichut në ndeshjen e dytë gjysmëfinale.

Dueli i parë i zhvilluar në Gjermani u mbyll baraz, 2:2, duke lënë gjithçka hapur për ndeshjen e dytë.

Pjesa e parë ishte shumë e qetë, pa gola dhe me pak raste shënimi, shkruan Gazeta Express.

Por, krejt tjetër ndeshje u zhvillua në pjesën e dytë.

Alphonso Davies kaloi bavarezët në epërsi në minutën e 68-të me një gol të bukur.

E më pas, vendasit morën iniciativën absolute, e cila rezultoi e suksesshme në fund të ndeshjes.

Ishte zëvendësuesi Joselu, heroi i madrilenëve që shënoi dy gola për tre minuta.

Fillimisht, ai realizoi pas një gabimi të madh të portierit Neuer në minutën e 88-të.

E tre minuta më pas, Joselu shënoi për 2:1 që në fund ishte edhe goli i kualifikimit të Real Madridit në finale të Ligës së Kampionëve.

E në finalen e 1 qershorit në Londër, Real Madridi do të ketë punë me një tjetër ekip gjerman, Borussia Dortmundin që mbrëmë e eliminoi Paris Saint-Germain.

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT