M’duhet pllamba jote,
me rrxue natën nën kmishe,
heshtjen me perkthye,
deri n’asht t’frymës.
Sa me u dehe n’përjetësi t’syve
sa me u rrokopujë në kapërthim,
tue ndez psherëtima që s’tham.
M’duhet kafshimi i gojës tande
se s’ban!
***
Ikin vitet ,
si uji,
edhe mungesa si uji rrjedh,
edhe heshtja si uji pushton
çdo inç të qënies teme.
Sa kisha dashtë
me të lshue za,
nji grimë me t’pa,
ndoshta me të kallzu sa jam rritë,
s’kam fuqi ma, as me kja.
***
Sa kisha dashtë me të kallxu
çka gjoksin ma shpon anë e përtej,
por malli , nuk asht fjalë
po një qiell i vranët
që mi kputi supet.
Nesër fillon prapë jeta
veç koha asht ma brishtë se duket!
***
Kur kam ftyrën tande ndër duer,
e bukur m’duket bota,
flladi i mbramjes lodron
nën petkun e buzëve…
Kur kam ftyrën tande ndër duer,
heshtja merr formën ovale t’syve
që u ngjasojnë fenereve të farit ku asht ankorue
anija.
Kur kam ftyrën tande ndër duer,
njëmijë netët e vetmise teme
andrrojnë yjet e rame ,
veç me nji puthje…