Friday, October 18, 2024
BallinaVitrina e libritRudi Berisha-NE SHQIPTARËT JEMI NJË SHQIPËRI NATYRALE

Rudi Berisha-NE SHQIPTARËT JEMI NJË SHQIPËRI NATYRALE

Në mes shqiptarëve të Kosovës dhe të atyre të Shqipërisë nuk duhet dhe nuk guxon asnjëherë të ketë ndasi dhe përçarje. Ai që bën një gjë të tillë, ai vërtet nuk mendon me mendjen dhe kokën e tij, por ai është dhe do të jetë vetëm një person që nuk ia do të mirën vendit dhe kombit të tij. Shqiptarët andej kufirit dhe ne këndej kufirit jemi sikur një bukë e thyer përmes. Po ashtu dhe të gjithë shqiptarët që kanë mbetur nën sundimin sllav janë bijtë dhe bijat e Shqipërisë. Ne, të gjithë jemi një, jemi një gjak, kemi një gjuhë dhe i takojmë një kombi dhe na përfaqëson një flamur, ai është flamuri ynë kombëtar, flamuri kuq e zi. Ne e kuptojmë që fuqitë e mëdha disa gjëra na i kanë imponuar, si simbolet e lindura në Kosovë, ndërsa flamuri kombëtar është gjerdani dhe vula jonë. Ky flamur duhet të jetë simboli i unitetit dhe i bashkimit të të gjithë shqiptarëve në trojet tona dhe i mërgatës sonë!


Ne mirë e dimë se si kemi mbetur në këtë gjendje. Dihet botërisht se si të huajtë na ndanë, copëtuan dhe na i grabitën tokat tona në kurriz dhe në dëm të shqiptarëve. Të gjithë pushtuesit bënë marrëveshje, kompromise që të dalin nga situatat e tyre, qoftë edhe nga luftërat dhe egot e tyre për të pushtuar gjithë botën, për t’u bërë sundimtar ose “superfuqi”, por Shqipëria çdoherë u tkurrë, u tkurrë nga armiqtë e zinj e të kuq, nga djajtë e ardhur nga toka Karpate dhe nga banimet e djallit të mallkuar.


Shqiptarët me prejardhje ilire u munduan me trupat dhe shpirtin e tyre ta mbrojnë tokën e tyre. Në shumë raste atëbotë nuk arritën ta mbrojnë atë që ishte Shqipëri Natyrale. Mirëpo, nga një pjesë më e madhe gjeografike e territoriale, arritën të mbesin në një tokë të copëtuar nga të gjitha anët.

Shqiptarët ruajtën zemrën e Shqipërisë. Ruajtën mesin e saj. Kurrë shqiptarët nuk u shuan, nuk u dorëzuan përgjatë gjithë kohës. Këtë e dëshmon edhe historia jonë shqiptare e botërore se shqiptarët nuk i ndalën përpjekjet për t’i çliruar tokat e pushtuara dhe për t’i bashkuar me nënën Shqipëri. Në shtetin (Kosovë-Shqipëri) që ne jetojmë, duhet të respektohet demokracia. Ka të drejtë secili të jap mendimin e tij të lirë, të jetë i sigurt dhe i pacënuar në mendimin e tij. Por është një gjë që çdo njeri nga ne duhet ta ketë në mendje: Në Kosovë është luftuar, është bërë një luftë për çlirim të kësaj toke të bekuar, të tokës sonë shqiptare. Kjo luftë është bërë nga vajzat dhe djemtë, nga gratë dhe burrat më të ndritur dhe guximtarë të saj.

Ata/ato luftuan me armë në dorë që Kosova, toka, pjesa e Shqipërisë të çlirohet dhe kur të çlirohet kjo tokë, t’i bashkohet Shqipërisë. Por çlirimtarët nga të gjitha anët, nga të gjitha viset shqiptare, luftuan që të çlirohen të gjitha tokat që ishin nën thundrën sllave me shekuj. Kur të çlirohen tokat, më pas t’i bashkohen Shqipërisë. Për besë dhe ky ishte betimi i çlirimtarëve të UÇK-së, tani dëshmorë. Ky ishte rrugëtimi i Adem Demaçit e betimi i Zahir Pajazitit, Adem e Hamëz Jasharit, Luan e Shkëlzen Haradinajt, Fehmi e Xhevë Krasniqi-Lladrovcit, Agim Ramadanit e mijëra mijëra luftëtarëve, tani heronj e dëshmorë të këtij vendi, të Shqipërisë sonë të dashur.


Disa zëra dhe disa rryma përçarëse që kanë lindur në kohën që tani po jetojmë, disa me vetëdije apo pa vetëdije me deklaratat e tyre për mosdurim dhe nxitje të urrejtjes në mes shqiptarëve, që kanë atakuar fenë si pjesën më emocionale e shpirtërore të shqiptarëve, të tillët që po bëjnë thirrje “për braktisje të islamit” janë kah çojnë ujë në mullirin e armiqve tanë. Disa nga këta kanë qëllime politike dhe një numër i tyre janë njerëzit më të dështuar gjatë rrugëtimit të tyre politik. Por në mesin e tyre ka mashtrues dhe besa që kanë qenë në shërbim të armiqve tanë e sidomos të Serbisë.


Të tillët që thirren në “shpëtim të kombit”, e në fakt po e rëndojnë dhe po e dëmtojnë kombin shqiptar, besoj se të tillët nuk do t’i kenë rrënjët thellë, do të deshifrohen me kalimin e kohës. Unë ju bëj thirrje të gjithë shqiptarëve që të kenë durim dhe të presin, deshifrimi i këtij grupi shpejt do të ndodh, do të deshifrohen nga vet ata. Ai që bënë përçarje dhe bënë thirrje në përçarje, ai ose ajo është tradhtar i kombit shqiptar. Përçarja mund të çojë në vëllavrasje, vëllavrasjen e dëshirojnë vetëm armiqtë tanë, e në veçanti Serbia fashiste. Kush i shërben një kauze të tillë, ai nuk është shqiptar i vërtetë, por është një kokë e krisur dhe ka ego që të jetë protagonist në media, e të tillë budalla ka mjaftë në Shqipëri e në veçanti në Kosovë.


Të dashurit e mi, ne shkrimtarët, poetët i kemi shërbyer përherë kombit tonë, atdheut, Shqipërisë. Që nga rilindësit tanë, edhe ne duhet të jemi gardianë për mbrojtje të Interesave Nacionale dhe mureve të qenësisë sonë si shqiptarë dhe si komb. Ne njerëzit e lapsit dhe besoj intelektualët e kësaj kohe, duhet me pas mëshirë të godasim, të shtypim dhe të heshtim. Këta zëra që bëjnë përçarje dhe po dëmtojnë kombin tonë, duke prekur, ofenduar e lënduar shumë shqiptarë, duke prekur në emocion që ashpërsia të jetë më e madhe në reagim, duke goditur këta të marrë në varret e shqiptarëve. Shqiptarët përherë kanë qenë në harmoni ndërfetare në mes veti.


Ne thuaja se asnjëherë nuk kemi pas kaq ndasi dhe përçarje me zëra dhe hapësirë publike televizive të atyre që na fyejnë, na shajnë në besimin tonë, në atë që është shpirtërore dhe personale. Por vërtetë ne shqiptarët e besimit islam, krishterë e katolik duhet të jemi durimtarë, të qetë dhe koha do të dëshmojë që ky grup nuk është i sinqertë as në konvertim, as në besim dhe as në atë që thirret në “shpëtim të kombit”, jo se jo!
Ne së bashku me ju miqtë e mi të fjalës së shkruar, kemi ruajtur dhe do të ruajmë frymën e pastër kombëtare, pa dallim të besimit, ne do të jemi së bashku e do të rrugëtojmë me revistën shqiptare, me të denjët kombëtarë të pagëzuar “Albania Shqipëri Natyrale”. Unë u jam mirënjohës dhe shumë falënderues të gjithëve një nga një!

Qofshi të gëzuar dhe të lumtur!
Qofshi përherë në paqe!
Zoti ju bekoftë!

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT