Kufiri i ngritur si mur mbi hartën e dhimbjes,
E gjaku ynë, kapërceu telat gjembor,
Mbi malet e Hasit, mbijnë rrënjët e një trungu,
As stuhitë e shekujve nuk i këpusin dotë.
Drini i Bardhë mori plagët tona,
Në pëllëmbët e valëve, i barti me barkë,
I dërgoi si letra të përgjakura drejt detit,
Me Drinin e zi nga Struga e artë.
Malet u bënë altarë me qirinj vetëtimash,
Ku shpirti i Kosovës lutej me gjuhën e arbërit.
Në Kukës nata hapi portat e mëshirës,
Dhe shtëpitë u bënë zemra me dyer hapur.
Një copë bukë u nda në mijëra agime,
Ah, Kosovë u bëre burim i lotëve,
Në sytë e dhimbjes të nënës Shqipëri,
Vllezërit i strehuan në familje e çdo shtëpi.
Kufiri numëronte kilometra të ftohtë,
Ndërsa shpresa ecte e zbathur mbi plumba,
Mbi rrugët e ikjes, nga malet e pashtrikut,
Me flamurin mbështjellur si diellin në plagë.
O kufi, ti ishe vetëm një vijë prej ngjyre,
E gjaku, një abetare që s’e fshiu as koha,
Dy brigje të ndara, një qiell në kraharor,
Dy zmra në hartë një atdhe në shpirtin tonë.
