Në këta hapa rrugëve të mërgimit
Se si m’vjen, Gjakova pranë.
Ma nxë frymën mallëngjimi,
Ti dal Çabratit edhe i her matanë
Ti bie Gjakovës anë e mbanë
E të këthehem mes Çarshie
Që më kujton ato vite rinie.
Aty te kroi, n’skaj Urës Taliqit
Tek tabhanet, erë lëkure t’ogiçit.
E kur zbardhte dita, në verë
Qepenat uleshin edhe i’ herë.
Ditë e hane, sa herë ka qëllue
Njerëzia rrugët kish me i vërshue
Me u takue aty atë ditë, mal e vrri
Ata të rrafshit me ata n’Malësi.
Në Lomë të Drithit, misrin e bardhë
Në kanar e matnin do plisbardhë.
E n’Lomë të Druve , kuajt ngarkue
Me i shitë malësori i kishte prue.
Skaj urës pazarit aty te shkalltë,
Tregti bajshin besa edhe gratë.
Shpesh takoheshin inxhija e aba
Nallone blente njena, e tjetra çarapa.
Kalldremit unë atëherë tue vrapue,
Fasligeni aromën sa kish lëshue.
Aty skaj rruge, përskaj një pleme
Në çardak, nën hije të një peme.
N’degë dudi, skaj sallanxhaku,
Si fëmi kënaqeshim për maraku.
E n’ aksham, kur thirrite ezani
Nana n’derë thërriste: shpejt ejani!
Sofrabezi shtrue, e sofra mbi.
Tubohej familja një nga një,
Gju m’ gju rreth sofre bashkue
Pleqë, fëmi, musafir, burrë e grue.
Nga furra e shporetit aromë buke n’ore
I shkrirë nga t’ftohtit e asaj bore,
Gjumi, m’kotëte aty skaj ore….
O kurbet, ti qofsh mallkue
Ndër këto rrugë e trotuare,
Eci Gjakovën tue kujtue,
Për me futë në memoare.
Shkoi e iku, mbaroi rinia.
Në dhe të huej, m’ zu pleqnia
Këto kujtime veç në kujtesë
Po i shkruaj për mos harresë.
