Nesër është ditë tregu në qytezë
Te Kodra e pazarit iu pres
Pak ajër sillmani nga vendlindja
Një copë Greiçeci në thes.
Sillmëni rrudhat e sime toke
Ku u rrita dhe nisa çuçuritjet
Një djep me ninulla magjiplote
Piramidat e jetës, rëniet dhe ngritjet.
Sillmani një urti nga empiria juaj
Nga pleqtë urtakë të oxhakut
Se ka nisur shumë zemra të vuaj
Diçka po më shtërngon si nyjet e lakut.
Çeleshbardhët m’i sjellin çypat me lira
Kujtimet për Babën Dyl ,Daut Zekën, Ukë Salihin
Aty janë Zenel Dani,Halit Sahiti, Ruzhdi Balia
Fazli Greiçeci, Komandant Guri, është historia.
Sillmani muzeun e kujtesës
Dashurisht le të ndrijë
Këngët, legjendat e qëndresës
Në çdo kodër dhë shtëpi.
Aty është kroi i Gani Roshes
Plot humanizëm gëlon shpirti i tij
Është trimëria e Kadri Bebes
Dritë bën si një qiri.
Është pushka e Ali Kadri Reshanit
Që shkrepi nga viti 1981 me luaj
Është amaneti e bacit Misin
Dhe qëndresa e Syzanës në Ferizaj.
Me dardha palloshka mbushni hejbet
Pak baltë nga Ara e Alisë
Se po më dhamin shumë sivjet ijet
Malli po më djeg për pragun e shtëpisë.
Sillmani një çeleshe të bardhë
Një shokë malësorësh lara- lara
Një kalanicë ta mbushi me dhallë
Zemrën ta flladis pa ilaqe e barna.
Një thes miell nga mulliri I babait në luginë
Një bukë çerepi të Nanës mbretreshë
Një rrëpirë shiu të më laj mërzinë
Tumorin të ma shëroj si një mjek.
Tërthoret e qytetit bashkë t’i kaptojmë
E çaj të pijmë me duhan të sertë
Nga aroma juaj mushkëritë t’i shërojë
Në gjokset tuaja mbështetur të vdes…