Besiktas rikthehet në garë për Edon Zhegrovën, Juventusi i hap dyert largimit në janar!
Besiktas po shqyrton mundësinë për të rikthyer interesimin për Edon Zhegrovën gjatë afatit kalimtar të janarit, pasi situata e yllit të Kosovës te Juventusi ka ndryshuar dukshëm.
Klubi turk kishte shfaqur interesim për transferimin e anësorit kosovar edhe gjatë afatit kalimtar të verës së vitit 2026. Megjithatë, në atë kohë Zhegrova nuk ishte bindur nga oferta e marrë dhe nuk dëshironte të transferohej në Turqi.
Gjërat kanë ndryshuar që atëherë, pasi aventura e tij në futbollin italian nuk ka shkuar sipas pritshmërive. Zhegrova nuk ka arritur të fitojë rolin dhe minutat e lojës që shpresonte te skuadra torineze.
Sipas mediumit turk “Fotospor”, drejtuesit e Juventusit tashmë janë të gatshëm të ndahen me futbollistin kosovar dhe janë të hapur për të shqyrtuar oferta të ndryshme, si për transferim të përhershëm, ashtu edhe për huazim.
Besiktas kishte kërkuar për një kohë të gjatë përforcime në krahun e djathtë të sulmit gjatë verës, ndërsa së fundmi siguroi shërbimet e Ernest Pokut nga Bayer Leverkuseni në formë huazimi.
Megjithatë, futbollisti i ri nuk ka marrë minutat e pritshme, ndërsa edhe paraqitjet e Vaclav Cernyt janë vënë në pikëpyetje. Për këtë arsye, largimi i çekut gjatë afatit kalimtar të janarit shihet si një mundësi e madhe.
Në këto rrethana, Zhegrova mund të rikthehet në listën e dëshirave të klubit nga Stambolli, i cili mund të tentojë të realizojë marrëveshjen që dështoi gjatë verës.
Juventusi e transferoi futbollistin kosovar nga Lille në vitin 2025 për 15 milionë euro, por deri më tani aventura e tij në Itali nuk ka rezultuar ashtu siç pritej. Tashmë mbetet të shihet nëse janari do të sjellë një kthesë në karrierën e tij.
