Shpresa e viteve të mia të humbura,
jetova me të deri vonë,
por edhe ajo, si e lodhur nga unë,
u largua me buzë në vaj,
duke më ledhatuar flokun gështenjë.
E loti i rridhte rrëke faqeve,
duke thënë:
“Do iki larg,
pasi edhe shpresa na braktisi…”
Vitet e mia të humbura u tretën,
por një fërfëllazë erdhi papritur,
si drenusha e frikësuar
dhe ra në kopshtin tim!
Shkuan ca vite derisa u këndella,
edhe pse vonë…
Por s’ka gjë, rëndësi ka
që shpresa s’kishte hequr dorë nga unë.
Ajo fshihej në aromën e trëndafilit mistik,
në nektarin e heshtur të luleve,
në hojet e bletëve,
në pishat e larta që më vrojtonin nga larg.
Prandaj buzëqeshja ime s’u shua kurrë—
jetonte brenda meje, e freskët.
Edhe pse vonë, rikthimi ndodhi.
Më thanë:
“Ti paske lindur me këmishë…
shpresa s’ka hequr dorë kurrë nga ti!”