Kur flladi i puthte gjethet me ëmbëlsi
E bletët zhuriteshin për nektar
Bilbili e gushëkuqët këndonin përbri
Pranë përroit, që zdirgjej luginës zvarrë
Zërat e bujqve me thirrje e oshëtima
Si në orkestër të gjithë gëzonin
Jehonin prore dhe pa pushim
Në Dubovik, në fshatin tim
Kur dilte muzgu, nuk doje tjetër
Veç me hap veshët me kërshëri
Të gjithë gëzonin, i ri e i vjetër
Pse t’mos na bëhej viti njëmijë?
Fëmijët loznin në dora- dorë
Shtagë e llastiqe dhe guralecë
Sa shumë më sillnin çaste gazmore
Mua si fëmijë , çunak, mistrec
Kur vinte muzgu, mblidheshin tufat
Për t’i strehuar në ahure e shtalla
Thërrisnin zëra në shtëpi e kulla
-Dil se erdh tezja, erdhi dhe halla
I zinim ngrykë për shumë minuta
Edhe vraponim duke dënes
Se ne i prisnim nga larg te fushat
Për ta përcjellë atë lajm plot mbresë
Në mbrëmje mblidheshin së bashku të tërë
Ishim ca shumë dhjetë a njëzet
Gjer n’gjysmë të natës qeshnim me zë
Për ta mbajtë n ‘mend për njëmijë vjet