Shkruan Margarit Done
Në poezinë “Portret dashurie”, dashuria shfaqet si një proces krijimi, një pikturë që ndërtohet e rindërtohet në mendjen dhe zemrën e poetes. Ajo nuk jep një fytyrë konkrete, një emër të saktë, apo një kujtim të fiksuar. Dashuria nuk është një ngjarje, por një frymë që vjen dhe shkon, një imazh që ndërtohet herë pas here mbi “telajon” e shpirtit të saj. E në këtë mungesë fiksimi qëndron bukuria dhe simbolika më e thellë e kësaj poezie.
Piktura që ajo e fillon dhe e fshin, për të krijuar një tjetër, është metafora e përpjekjes njerëzore për të gjetur dashurinë ideale.
Si çdo artist që mundohet të kapë dritën perfekte, edhe zemra e saj është në kërkim të një përfytyrimi të dashurisë që nuk është kurrë e njëjtë. Poezia nuk përmend asnjë tipar fizik, por luan me ndjesitë e stinëve. Dashuria është ndonjëherë një “dimër i butë”, herë një “pranverë e gjelbër”. Këto janë shprehje të shpirtit që kërkon qetësi, ngrohtësi, rigjallërim, jo thjesht një marrëdhënie, por një harmoni të plotë emocionale.
Në këtë poezi, dashuria nuk është vetëm një përjetim, por një kërkim i përhershëm. Poetja nuk e përshkruan me konkretësi se kur e nisi këtë “pikturë”, ndoshta në verë, ndoshta në vjeshtë, sepse ajo nuk është një ngjarje kalendarike, por një gjendje e brendshme që shpërthen në kohë të papërcaktuara. Kjo i jep përgjithesim ndjesisë, e bën çdo lexues të mund ta projektojë veten brenda vargjeve të saj.
Dashuria, pra, është një krijim i brendshëm, një përfytyrim që rishkruhet sa herë ndryshon “drita” e shpirtit. Ajo nuk është e qëndrueshme në formë, por e qëndrueshme edhe në përpjekje.
Poetja nuk resht së dashuruari, nuk resht së kërkuari idealen. E kështu, portreti që ajo kërkon të përfundojë mbetet i hapur, i lirë për interpretim, i bukur në përkohshmërinë e tij.
Kjo poezi na mëson se dashuria më e thellë është ajo që jeton në hapësirën ndërmjet ëndrrës dhe artit, aty ku shpirtërorja bëhet formë, ngjyrë, dhe stinë.
Urime poetes!
Nga Margarit Done
……………………………………………………………………
PORTRET DASHURIE
Dashuria ime…
Nuk më kujtohet, në ç’ditë të javës
nisa të të pikturoj,
e të fshij sërish një portret tjetër.
Ndoshta ishte në një verë të nxehtë,
mbase në zemër të vjeshtës.
Por mbaj mend se gjithmonë të kam ëndërruar,
herë si një dimër të butë,
herë si një pranverë të gjelbër!
Athinë, më 01.02.2015
Ermira D. Ifandi