Dy porta ka jeta…”
(Nga Principesa Sofia – Pasthirrmat e shpirtit)
Në oborrin e shtëpisë time,
kam mbjellë lule… shumë lule.
Mellaga që çelin në heshtje,
si ndjenjat që s’i them dot me fjalë.
I vadis çdo mëngjes, me duar që kanë gdhendur jetë,
me shpirt që s’lodhet kurrë nga përkujdesja,
siç më mësoi nëna ime dikur,
kur më fliste për botën me zë të ulët, por me urti që të ndal frymën.
Një ditë, teksa ujisja rrënjët,
kaluan dy gra.
Të njohura, të dikurshme,
më kishin thurur fjalë të ëmbla në kohë të tjera…
Por atë ditë s’më thanë gjë.
Vetëm panë lulet, buzëqeshën,
dhe njera tha me gjysmë zëri:
“E mban mend sa e bukur ka qenë kjo?”
Zëri i saj ishte si një gjilpërë që shpërthen balonën e vetëbesimit.
S’u fola.
Shkova drejt pasqyrës,
sikur ajo do më tregonte kush jam tani.
Dhe aty pashë:
jo më fytyrën që njihja dikur,
por atë të një gruaje që ka qeshur shumë,
ka qarë në heshtje,
dhe i ka përqafuar dhimbjet si fëmijët e vet.
Pashë rrudha mbi ballë,
dhe një lodhje të ëmbël në sy.
Nuk isha më e re.
Por isha më shumë se kaq.
Isha vetja.
Një copë histori e gjallë.
M’u kujtua nëna,
kur e kisha pranë,
dhe e pyesja shpesh me naivitet:
“Nënë, ç’është jeta për ty?”
Ajo qeshte lehtë, me atë qeshjen që vjen vetëm nga gratë që kanë duruar shumë,
dhe më thoshte:
“Jeta është si një shtëpi me dy porta, bija ime…
Tek njëra hyn pa e kuptuar,
tek tjetra del duke mbajtur mbi supe gjithçka ke përjetuar.
Rruga në mes është dhuratë…
Mbaje me kujdes.
Ujite si lulet e tua.”
Dhe tani që s’është më,
çdo herë që vadis, e dëgjoj zërin e saj,
si puhizë e lehtë mbi supe:
“Mos u trishto për rrudhat,
ato janë lulëzimi yt i brendshëm.”👏♥️🙏