Shkallët e jetës i zbres një nga një,
Se ku është e fundit s’mundem ta di,
Por kam ecur, që ndonjë gjurmë të lë,
Duke dhënë dhe duke marrë dashuri.
S’ka qenë e lehtë këtu për të arritur,
Por e di mirë, në ç’rrugë kam ecur,
Në të përpjeta, por dhe në të zbritur,
E në shumë udhëkryqe, kam ngecur.
Vitet iknin, dhe unë pas tyre vrapoja,
Duke e ditur, se treni diku ndalon,
Thinjat e bardha, tek flokët i shikoja,
-Po të vjen pleqëria,- ato po më thonë.
Sa e dhimbëshme kur e mendojmë,
Se shpirti nuk thinjet, por mbetet i ri,
Ndonjëherë vetë vitet i ngatërrojmë,
Kur nuk duam, të na thuan pleqëri.
Dhe me buzëqeshje i përshëndesim,
Të gjithë miqtë, kur takohemi përball
Por dhe të habitur pak, do të mbesim,
Kur dikush të thotë;- akoma je gjall.?
Se me njëri tjetrin jemi parë më rrallë,
Se dikush nga ne më shpejt ka ikur,
E ndonjë mike, kur e shohim përballë,
Na ndizen xixat si në një eshkë të fikur.