Mos më pyet nga vij unë.
Borën kam mbajtur mbi supe,
Gjoksin i kam vënë erës,
Pse nuk solli lulen time,
S’i mbajta mëri pranverës.
Mos më pyet nga vij unë.
Rininë time aty kam tretur,
Bridhja pyjeve i harlisur,
I dehur me mjaltë blete,
Nga kosheret arratisur.
Mos më pyet nga vij unë.
Duheshim me gojë s’flisnim,
Do të të rrëfej më shumë,
Zemra nga vendi nuk dilte,
Veten shtrydhja i pagjumë.
Mos më pyet nga vij unë
Këngët e mia peng i lashë,
Nëpër hone nëpër mjegull,
Për një ëndërr të patretur,
Një dëshirë të mbetur pezull.
Pse më pyet nga vij unë.
Edhe ylberin kam kaluar,
Dhe serish kam mbetur djalë,
Miken e mbajta si mike, Dhe fjalën e mbajta fjalë.