Shkruan Fadil H. Curri, shkrimtar
Natyrisht, një vështrim kritiko-letrar i bëhet një vepre letrare që lexohet me kujdes të veçantë, ku nga faqet e saj ndahen mesazhet më të bukura që synojnë të përcillen te lexuesi. Pikërisht këtë e ofron libri “Personalitete të shkencës dhe të letërsisë”, një vepër voluminoze dhe e përgatitur me kujdes të veçantë nga shkrimtari Zymer Mehani, që sot po e promovojmë dhe që ndodhet para jush.
Duke e lexuar dhe studiuar këtë libër, m’u kujtua miku im i penës, gjermani Wolfgang Iser, dhe vepra e tij e famshme “Der Akt des Lesens” (Akti i leximit, e përkthyer në shumë gjuhë evropiane). Ashtu si Iser trajton marrëdhënien dinamike ndërmjet lexuesit dhe tekstit, po ashtu edhe shkrimtari Zymer Mehani, me punën e tij të palodhur krijuese dhe letrare, ka ndërtuar një urë të fortë lidhëse mes autorëve të përfshirë dhe kohës që vjen.
Të gjithë autorët që janë përfshirë në librin “Personalitete të shkencës dhe të letërsisë” janë figura që, përmes fjalës dhe mendimit të tyre, do t’i qëndrojnë kohës dhe do të mbesin të përjetshëm në letërsinë dhe mendimin shqiptar. Shumica e tyre, të përfaqësuar nga vende të ndryshme të vendit tonë dhe nga mërgata jonë e ndritur, kanë dhënë një kontribut të çmuar, e me gjasë, do të jenë pjesë e pandashme e mileniumit të tretë kulturor e letrar.
Hapësira letrare që ky libër mbulon, qëndron fuqishëm mbi vlerat shpirtërore të krijuesve dhe në zhanret e ndryshme të letërsisë moderne. Libri ka edhe një synim të thellë: që pishtari i dijes dhe artit të vazhdojë të ndriçojë edhe për brezat që do të vijnë.
Ky botim, që përfshin rreth 40 krijues e krijuese, është në vetvete një pasqyrë magjike e botës sonë shpirtërore, një thesar ku lexuesi mund të gjejë njohje, reflektim dhe ndriçim të mendjes. Më duket se po të ishte sot, Hegeli do të thoshte: “Kjo është fryma e një epoke me shumë mendime”. Ndërsa Frank Kermode, mendimtari dhe kritiku letrar anglez, do të shtonte: “Letërsia lind në periudha të tranzicionit dhe krizave, prandaj edhe zgjohet interesimi për të dhe për vlerat e vërteta.”
Duke përmendur edhe Gjon Buzukun, të cilin me të drejtë mund ta quajmë Hero i kulturës dhe i librit shqip, jemi të vetëdijshëm se krijuesit sot ballafaqohen ende me vështirësi kulturore, por mbeten të palëkundur në përpjekjet e tyre. E siç thoshte Jorge Luis Borges: “Duhet ta hapim librin, që shpirtrat të rizgjohen.”
Të nderuar krijues, krijuese dhe ju të dashur pjesëmarrës,
Ta marrësh në dorë një libër dhe ta hapësh – është një akt jetësor.
Vepra si kjo kanë qenë, janë dhe do të mbesin gjithmonë dritë mbi figurat më të ndritura të mendimit shkencor dhe letrar shqiptar.
Në mënyrë mjaft interesante, shumica e teksteve dëshmuese brenda librit marrin edhe karakterin autobiografik, duke i dhënë lexuesit qasje të drejtpërdrejtë në jetën dhe botën e autorëve.
Mendoj se do të ishte e drejtë që të gjitha institucionet kulturore dhe arsimore ta kenë këtë libër në fondin e tyre të leximit.
E mikut tonë të çmuar, shkrimtarit Zymer Mehani, i uroj shëndet, frymëzim dhe suksese të mëtejshme në krijimtari.
Ju faleminderit për vëmendjen,
Zoti ju bekoftë të gjithëve!
