Wednesday, January 21, 2026
BallinaVitrina e libritFatmir Z Çitaku -Mos e vrisni Lirinë (Poemë–thirrje për të vërtetën, bashkimin dhe...

Fatmir Z Çitaku -Mos e vrisni Lirinë (Poemë–thirrje për të vërtetën, bashkimin dhe shtetin sovran)

Mos e vrisni Lirinë
(Poemë–thirrje për të vërtetën, bashkimin dhe shtetin sovran)
Mos e vrisni Lirinë,
se ajo s’është fjalë,
është gjak,
është plagë e hapur e këtij populli
që kurrë s’u mbyll me pazare.
Mos e mallkoni popullin,
ju të mjerë,
që s’e njohët kurrë të vërtetën
dhe u bëtë gojë e vesh i së keqes,
jehonë e rreme e dirigjimeve të errëta.
Ju,
papagaj pa mendim,
që jetoni nën mëshirën e mjeshtërve të mashtrimit,
ju që moti e shitët shpirtin për interes,
për poste, për miliona,
për rehati mbi shpinën e një populli të lodhur.
Ju që dilni sot si mbrojtës
të zhvatësit,
të hajnit,
të profiterit,
ju që e quani grabitjen “politikë”
dhe tradhtinë “mençuri”.
Mos e mallkoni popullin,
sovranin e vetëm të këtij vendi,
që me votë e me durim
e hoqi dorën e zgjatur
që për vite e mbajti Kosovën
në mjerim,
në frikë,
në robëri të re.
Mos e mallkoni të vërtetën,
vetëm që t’ua zgjasni jetën
milionerëve të krijuar mbi varfërinë,
atyre që u pasuruan mbi djersën e popullit
dhe mbi heshtjen e drejtësisë.
Atyre që deshën ta ndajnë Kosovën,
që shkelën mbi gjakun e dëshmorëve,
që e panë veriun si plaçkë tregu
dhe sovranitetin si pengesë.
Atyre që u lidhën me grupe kriminale,
për ta rrënuar shtetin ligjor,
për ta bërë ligjin shërbëtor të pushtetit
e jo mbrojtës të popullit.
Atyre që sot thërrasin për “bashkim”,
por vetëm për të shpëtuar nga drejtësia,
që s’kanë turp të kërkojnë dorë
edhe nga Lista Serbe,
vetëm që ta kapin sërish pushtetin
e ta mbytin llogaridhënien.
Mos e mallkoni popullin
pse votoi për shtet ligjor,
pse zgjodhi qeveri
që s’i trembet ligjit,
as emrit shqiptar,
as të vërtetës.
Ju që e mallkoni këtë zgjedhje,
jeni të mallkuar nga vetë historia,
sepse një ditë
do ta kuptoni se vetë ju
ishit shkatërrimi i këtij vendi.
Ju ka zënë haku i dëshmorëve,
dhe zemrat ua ka mbyllur
lakmia,
injoranca,
verbëria e interesit personal.
Prandaj s’shihni më larg se sot,
prandaj s’kuptoni se populli
nuk votoi kundër askujt,
por votoi për veten,
për dinjitetin,
për të ardhmen e fëmijëve të tij.
Mjaft më,
o mendje të thara,
o humbës të dirigjuar,
shkatërrues të së vërtetës.
Sepse e vërteta
nuk vritet,
nuk blihet,
nuk heshtet.
E vërteta,
herët a vonë,
do t’ju nxjerrë lakuriq
përballë popullit,
përballë historisë,
përballë Kosovës
sovrane dhe të pandarë.

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT