Më shqetëson !
Më trishton, madje më dhemb.
Nënat, gjyshet tona i kemi parë gjithë jetën të ruajnë identitetin, forcën,bukurinë, shpirtin e tyre poshtë rrudhave të lëkurës.
I kemi adhuruar për vërtetësinë, potencialin shpirtëror dhe emocional .
Janë bërë ikona, idhujt tanë.
Themi se kohët kanë ndryshuar.
Unë them se kohën e bëjmë ne.
E them me bindje.
Ndoshta jam jashtë mode , me mendësi të vjetra për gjithësecilin prej jush,që po më lexoni.
Por nuk di të shtirem , di të përballem me të vërtetën dhe kjo më mjafton.
Më mjafton të jem unë .
Nëna,gra,motra !
Tjetërsoheni me programe,që ju fshijnë çdo shenjë që koha ka lënë në shpirtin tuaj.
Çdo rrudhë ku është shkruar udhëtimi ynë i deritanishëm.
Kam ndjesinë e një paperceptimi, të një paradoksi që sfidon logjikën dhe kufijtë e ndërgjegjes.
Ajo që përpiqeni të bëni nuk është thjesht një lojë me teknologjinë.
Është shumë më shumë.
Është reflektim i një frikë të brendshme.Frikë nga koha.Frikë nga vetja.Frikë nga ajo që jemi.
Është një mohim i vetes,i realitetit.Një dëshirë verbale për të fshehur natyrshmërinë dhe bukurinë me mënyrën e vet të artë.
Por …
kjo nuk ka të bëjë vetëm me fytyrën tonë.
Gjurmët e saj ngelen te fëmijët, mbesat tona duke i’u dhënë një shembull të errët të vetëvlerësimit.Një mesazh se bukuria dhe vlerat lidhen me pamjen dhe jo me thelbin,përvojat dhe integritetin.
Teknologjia bën mrekulli të jashtzakonshme por kur përdoret për të humbur të vërtetën,ajo nuk është progres.Nuk është modernizim.Në të kundërt është regres,largim nga autentikiteti,nga vet pranimi dhe lidhja jonë me realitetin.
Asnjëherë nuk është vonë për t’u ndalur.Të shohim fytyrën tonë,jo si objekt që mund të rregullohet,por si një pasqyrë ku shihet qartë jeta, historia,koha që nuk kthehet më.Vetëm duke pranuar atë që jemi, duke dashur çdo pamje, çdo rrudhë mund të shohim vlerën e vërtetë.
Të bëhemi busull orientuese për ata që do të ngelen pas nesh.
Bukuria nuk është përsosmëri !
Bukuria është guxim për të qenë të vërteta çdo ditë,çdo çast.
Kjo na vesh me madhështi.
