Sapo doli nga shtypi libri me poezi të shkruara nga Michael Lee Johnson dhe Irma Kurti. Përmbledhja e vargjeve nga poeti amerikan Michael Lee Johnson dhe poetja italo – shqiptare Irma Kurti mban logon e shtëpisë botuese Ukiyoto Publishing dhe titullohet “Lost leaves” (Gjethe të humbura). Në të përfshihen poezi të shkurtra për natyrën dhe dashurinë. Poezitë eksplorojnë natyrën me të gjitha ngjyrat dhe nuancat, duke balancuar bukurinë dhe rrënimin me kompleksitetin e emocioneve njerëzore si dashuria dhe vetmia. Libri përcjell mesazhin se dashuria, ashtu si natyra, rrjedh dhe ndryshon së bashku me stinët. Në vargje hulumtohen elementë të ndryshëm të natyrës, që nga vallëzimi i gjetheve dhe perëndimet romantike deri tek errësira dhe yjet përmes meditimeve mbi marrëdhëniet, kujtimet dhe udhëtimet personale.
Në parathënien e librit, Michael Lee Johnson shkruan: “Ky libër përmban poezi të shkurtra mbi natyrën të ndërthurura me vargje për dashurinë. Dashuria, ashtu si natyra, rrjedh dhe ndryshon me stinët. Natyra ka ekzistuar pavarësisht nga ndikimi njerëzor që nga fillimi i kohërave. Ajo mishëron vallëzimin e gjetheve, romancën e perëndimeve të diellit dhe momentet e kaluara duke pirë një shishe verë pranë lumit ose liqenit, si dhe duke shijuar qetësinë e një dite me shi. Natyra frymëzon ëndrra, por mund të sjellë edhe shkatërrim. Ajo pasqyron si bukurinë ashtu edhe dhimbjen, duke soditur hënën, errësirën dhe yjet. Natyra përqafon jetën dhe vlerëson dashurinë që ne shprehim në këmbim. Si njerëz, ne festojmë bukurinë e krijesave me krahë, kafshëve që shkelin mbi tokë, gjetheve të zambakëve dhe pellgjeve të qeta. Natyra krijon ëndrra, por natyra gjithashtu shkatërron.”
MICHAEL LEE JOHNSON jetoi në Kanada për dhjetë vjet gjatë Luftës së Vietnamit. Aktualisht banon në zonën e Çikagos, Illinois. Ai ka mbi 360 video me poezi në YouTube. Michael Lee Johnson është një poet i suksesshëm ndërkombëtar që është botuar në 46 vende të botës, autor i teksteve të këngëve si dhe i disa librave me poezi. Ai është nominuar për shtatë Çmime Pushcart dhe ka patur shtatë nominime për Best of the Net. Michael Lee Johnson ka botuar mbi 653 poezi dhe është editor i tre antologjive poetike, të gjitha të disponueshme në Amazon. Michael ka menaxhuar dhe ka krijuar gjashtë grupe poezie në Facebook. Ai është anëtar i Shoqatës Shtetërore të Poezisë të Illinois: http://www.illinoispoets.org/ dhe Poets & Writers: https://www.pw.org/. Poezitë e tij janë përkthyer në disa gjuhë të huaja.
Irma Kurti është poete, shkrimtare, autore e teksteve të këngëve, gazetare dhe përkthyese. Ka filluar të shkruajë e të botojë poezi që në moshë të vogël. Për poezinë dhe prozën i janë akorduar 100 çmime në konkurse të ndryshme letrare në Itali e Zvicër, shumë prej të cilave kanë qenë çmime të para. Përveçse në Shqipëri, ka fituar gjithashtu çmime në konkurse letrare ndërkombëtare në Greqi, ShBA, Kanada, Filipine, Liban dhe Kinë. Ka shkruar rreth 200 tekste këngësh dhe është pjesëmarrëse në festivalet e muzikës së lehtë në Shqipëri, Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut.
Në vitin 2013 fitoi çmimin ndërkombëtar “Universum Donna” për letërsinë dhe emërtimin “Ambasadore e Paqes” nga Universum Academy dhe Universiteti i Paqes në Lugano, Zvicër. Në 2020, për kontributin në fushën e poezisë, nderohet me titullin “Akademike dhe Presidente Nderi” e Enciklopedisë Poetike Italiane. Në vitin 2021 është nderuar me çmimin “Liria” nga Komuniteti Arbëresh në Itali. Është nderuar me diplomën e meritës dhe medaljen Grazia Deledda nga Komiteti Kombëtar brenda Enciklopedisë Poetike WikiPoesia si dhe me çmimin e Karrierës nga Universum Academy Switzerland në Zvicër.
Irma Kurti është anëtare jurie në disa konkurse letrare në Itali, si dhe përkthyese pranë Fondacionit “Ithaca” në Spanjë. Ajo ka botuar mbi 115 vepra, që përshijnë libra me poezi, prozë dhe përkthime. Është një nga poeteshat shqiptare më të përkthyera dhe më të botuara jashtë kufijve të Shqipërisë. Librat e saj janë përkthyer dhe botuar në 23 vende të botës.

