Friday, February 6, 2026
BallinaVitrina e librit“Nëpër rrugët e Australisë” nga Biagio Fortini. Përgatiti: Irma Kurti

“Nëpër rrugët e Australisë” nga Biagio Fortini. Përgatiti: Irma Kurti

Sapo ka dalë nga shtypi libri i shkruar nga Biagio Fortini titulluar “Sulle strade dell’Australia” (Nëpër rrugët e Australisë). Libri mban logon e shtëpisë botuese Youcanprint në Itali. Në parathënien e veprës të shkruar nga vetë autori lexojmë: “Ditari i udhëtimit tim në Australi dergjej prej kohësh në një cep të sirtarit, së bashku me dokumente të tjera. Një ditë, ndërsa po sistemoja disa gjëra, e gjeta … Fillova ta shfletoja dhe në ato momente, koha ndaloi. Nuk isha në shtëpi, në Bergamo, por në një vend tjetër, në një tokë tjetër që e kisha vizituar 28 vjet më parë së bashku me miqtë e mi. Ndërsa lexoja, kujtime të tjera më vinin në mendje si për të më thënë se asgjë nuk humbet, por mbetet aty, në një cep të mendjes. Ndonjëherë, mjafton një takim i papritur ose një mendim që troket si një rreze dielli. Ai lexim më la diçka, ndoshta pak nostalgji… Shpresoj t’i përcjell lexuesit përshtypjet dhe ndjesitë e mia të bukura, të cilat kanë qenë pjesë e ditëve të mia edhe tani, duke më lejuar të rijetoj bukuritë e Australisë. Sepse shpesh mund të udhëtosh në toka të panjohura jo vetëm me avion, por edhe me fantazi dhe imagjinatë.”
BIAGIO FORTINI ka lindur në Ripalta Cremasca, në provincën e Cremonës në Itali. Pasioni për fotografinë e ka nxitur të udhëtojë në shumë vende të botës dhe të fiksojë në aparatin e tij bukuritë e natyrës dhe të portreteve njerëzore. Veprat e tij janë bërë pjesë e shumë antologjive si dhe revistave e gazetave në Kanada, SHBA, Spanjë, Itali, Shqipëri, Kosovë dhe Indi.
Biagio Fortini ka fituar çmimin e parë në Konkursin e 12-të Kombëtar të Poezisë, Prozës dhe Fotografisë të titulluar “Fuori dal cassetto (Jashtë sirtarit) në vitin 2022 organizuar nga Shoqata Kulturore “Testi & testi” në Lecce. Gjithashtu, është vlerësuar me çmimin e tretë në Konkursin Letrar “La Couleur d’un Poème” 2023, në Milano me veprën: “Dashuri të mbyllura në heshtje”.
Imazhet e fotografive të tij janë bërë kopertina të mbi shtatëdhjetë veprave letrare me poezi dhe prozë. Në vitin 2020 u botua nga Shtëpia Botuese Amanda Edit në Rumani libri “Mai multe săruturi decât cuvinte” (Më shumë puthje se fjalë) me fotografitë e tij dhe me poezitë e shkruara nga Irma Kurti. Në vitin 2022 botoi librin: “Un giorno mi racconterai” (Një ditë do t’më tregosh) me logon e Edicionit Accademia Barbanera, dhe në 2025 dolën në dritë librat: “L’alba tinge tutto di luce” (Agimi ngjyen gjithçka me dritë) dhe “Cerco di Dirti” (Përpiqem të të them) me shtëpinë botuese Ukiyoto Publishing në Indi. “Nëpër rrugët e Australisë” është libri i tij i pestë.

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT