S’i vashë e brishtë rritesha bregut,
Me flokët e arta si dallgët i ngjaja detit.
Me grimca ylli kisha qendisur jelekun,
Në fytyrë hanën si një sferë argjendi.
Vendlindja është manushaqe me erë,
Shpirtin ma lidhi me rrënjët e të parëve.
Me grimca dielli që thyhen në pranverë,
Me hanën xhevahire që flen mbi pullaze.
Se kisha paramenduar kurrë më parë,
Shtegëtimet kaq të rënda dhe delikate.
Të mbyllem larg si një zog në kafaz,
Por fati më bëri një vashë kurbetqare.
Mendja me rrinte pas vegimit të vjetër
Ato udhët e moçme me baltë i kujtoj.
Muzgjet e kuqe që zbrisnin mbi ujëra,
Vetë qëndroja mes tyre si një shqiponjë.
Dhimbja në shpirt plas nga melankolia,
Si hymn i moçëm ardhur nga legjenda.
Kur kurbeti të rëndohet mbi shpatulla,
Dhe flatratë e korbit të zi bën të bardha.
