Në atë Gadishull të Ilirisë,
pashë Lekën me perandorë,
me Justinianin e Dardanisë,
dhe Konstandinin dorë për dorë.
Ngritën tempullin e Perëndisë,
në Stamboll në grykë t’Bosforit,
atë mrekulli të Aja Sofisë,
për nder të Zotit e të Perandorit.
Kur këtë tempull të religjioneve,
për herë të parë unë vizitova,
pse Kombi im thash i tri feve,
por me një Zot – tash kuptova.
Në atë qytet të Konstantinit,
i njohur gjatë në histori,
qe Akademi e Kryetrimit,
nga pengmarrja në fëmijëri.
Artin e luftës aty zotëroi,
shpallet më i miri në ushtri,
Iskander Sulltani e nderoi,
Gjeneral i parë në perandori.
Për ku më je nisë Gjergj o trim?
Tek armët ngjeshte e bëhej gati;
Më tha: – një mik më pret në takim,
te Molla e Kuqe Janosh Huniadi.
Në vend të luftës kundër tij,
që urdhër nga Sulltani e pati,
treqind ushtarë për në Arbëri,
më të mirët trima i bëri gati.
Nga Naisusi i Dardanisë,
Gjergji u printe luftëtarëve,
drejt për në Krujë të Arbërisë,
për të ngritur flamurin e të parëve.
Një çerek shekulli luftën fitoi,
kundër sulltanëve armiqëve të zi,
nga toka e shqipeve prore i dëboi,
i ktheu të humbur për në Azi.
Shpata e tij lart kurdoherë,
kokën bajlozëve u preu,
si shqiponja me dy krerë,
Gjergj Kastrioti – Skënderbeu.
