Saturday, March 7, 2026
BallinaVitrina e libritQirici Mina-UNË DHE TI- PERJETESIA E DASHIRISE

Qirici Mina-UNË DHE TI- PERJETESIA E DASHIRISE

UNË DHE TI- PERJETESIA E DASHIRISE
Tregim filozofik
Dhe ikëm, u tretëm në dheun e zi.
Baltë u bëmë, pluhur dhe hi.
E megjithatë mbetëm,
Unë dhe Ti.
Nata kishte rënë mbi tokë, por qielli nuk njihte errësirë.
Ishim baltë.
Ishim pluhur.
Ishim hije.
Megjithatë, unë e ndjeja praninë tënde. Fryma jote lëvizte nëpër erë, përkëdhelte gjethet e pyllit dhe shkundte dritën e hënës mbi varrin tim.
Trupi nuk ekzistonte më, as zemra që dikur rrihte, por dashuria kishte mbetur si një drithërimë e përjetshme.
Pa formë.
Pa emër.
Por e pranishme.
“Na kujtojnë njerëzit?” – të pyeta me zërin e erës.
“Jo,” – m’u përgjigje – “por na kujton vetë përjetësia, sepse dashuria jonë është bërë pjesë e saj.”
U tretëm, por nuk u zhdukëm.
U shuam, por nuk u harruam.
Dhe, si dikur, mbetëm:
Unë dhe Ti.
Dita e fundit nuk pati as britmë, as lamtumirë.
Vetëm një frymë që u shua ngadalë, si një qiri që e prek hëna. Trupi u rëndua, sikur të donte të kthehej në vendin e vet të lashtë, në tokë.
Në ajër mbeti vetëm një dridhje, një pëshpërimë që s’ishte as fjalë, as frymë.
Ishte ndarja.
Toka e përpiu mishin, koha e përpiu kujtimin. Por diçka, një fije drite e padukshme, nuk u shua dot.
Ishte si një rreze që kalon përmes errësirës: pa trup, pa emër, por me një ndjenjë që nuk njeh vdekje.
Dashuria!
E ndjeva praninë tënde aty, mes baltës ku u bëmë një. Nuk të pashë me sy, por të dëgjova me shpirt.
Një zë i brendshëm më tha:
“Mos u frikëso. Asgjë nuk mbaron. Ne jemi më shumë se ky pluhur që shtrihet mbi ne.”
Atëherë kuptova se vdekja nuk është fundi, por vetëm kthimi i trupit në heshtje dhe zgjimi i shpirtit në përjetësi.
S’kishte më tokë nën këmbë, as qiell mbi krye.
Gjithçka ishte dritë e qetë, pa formë, pa zë.Një det pa brigje ku fryma endej lirshëm.
Në atë pafundësi ndjeva për herë të parë lehtësinë e qenies.
Isha, por nuk ekzistoja.
S’isha trup, s’isha emër, por një dridhje e ngrohtë që përhapej në gjithësinë pa anë.
Në atë heshtje që të përkëdhelte, një rreze tjetër u afrua.
E njohur.
E përjetshme.
Nuk kishte sy, por ndjeva shikimin tënd.
Nuk kishte fjalë, por dëgjova zërin tënd brenda vetes:
“Ja ku jam… nuk të lashë kurrë.”
“A është kjo përjetësia?”- pyes unë.
“Jo,” – më përgjigjesh ti – “kjo është dashuria e vërtetë:
Ajo që mbijeton kur gjithçka tjetër shuhet.”
Dhe kështu, në dritën që nuk ka lindje e as perëndim, ne mbetëm si në vargun e fundit të jetës sonë tokësore:
Në përjetësi,
Unë dhe Ti.
Mina T. Qirici
Tiranë, 7 mars 2026

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT