Tunduar…
Nuk e dimë pse
dhimbja nuk ndahet dot nga ne,
na tërheq si magnet
e na shtyp ndjenjat
si tokmak trysnia e saj
e tensioni i mëkatarëve
na rrëmben në vorbull
na vë në provë kufijt e durimit
sa dimë të zbatojmë
e të thyejmë rregulla.
Në lajthitje të arsyes
tundohemi herë të jemi ndryshe,
herë njëlloj si turma,
tunduar kërkojmë valë të reja
derisa të përgjumemi nga plakja
e lodhja që na gjunjëzon ekzistencën
pranë stacionit të fundit…
……………………………………………………………………..
Vdekje e heshtur…
Në skenë dalin ata
që kanë për të dhënë,
spektatorë janë ata
që kanë për të marrë,
paguajnë që të marrin,
paguhen që të japin,
të dyja palët “na e nëm”,
nuk bëjnë dot pa njëri-tjetrin.
Të rrallë janë ata
që nuk kanë as të japin
e as të marrin.
As dielli nuk u fal dot një hije,
se ata janë vetë hije
që lëvizin pa u vënë re,
janë misteri i errësirës,
kaosi i natës së errët.
Vdekje e heshtur…
…………………………………………………………………………………..
Nefertit…
Klith heshtja,
kur mërmërit deti,
bukuri mitike.
Trishtimi shuhet thellësive
në perëndim dielli.
Ka etje buzësh,
djegie malli
në ftohtësi funddimri.
Zgjohet butë,
krejt ngadalë shpirti
për të përndritur natën
me fije drite,
dehur në ekstazë
në ëndërr muzash
nën ritmin e erës
në tinguj ajri.
……………………………………………………………………………………
A ka gjë tjetër?!
Ende dimër
me përplasje të ftohta,
me shpresën që thyhet
e që ndez gjakun zjarr,
kur avujt e zemërimit
ngrijnë kristale akulli
në trupin e braktisur,
pa ndjenja
e që fshihet
nën maskën e qeshur
se gjithçka shkon mirë
në kufomën memece
që ecën rrugëve bosh…