Tani,deti është i vetëm dhe i qetë
Mbi rërën,e shtrirë,nuk je më aty
Neraidë të pashë kur dole nga uji
E befas eklipsi ndodhi në ato sy
Në shikim shetit misteri i ndrojtur
Në heshtje pa zë,po bisedonin sytë
Valët dinake përgjonin fshehurazi
‘Më çmende’të të thoshja je unë një ditë
Fjalët s’kapercyen pragun e buzëve
Ngelen si statujat, të turpshme aty
Deti sa herë na bënte shenjë me dorë
Ne,në rërën e plazhit,digjeshim të dy
Nuk e di ç’më solli sonte tek ky vend
Mbi rërën, e shtrirë, nuk je më aty
Mbyll sytë një çast e pres i paduruar
Mos shfaqesh prapë,Neraidë e bukur, ti
Hap sytë serish e gjithshka si me parë
Plazhi i shkretë dhe deti tutje kaltërim
Një valë vjen pranë dhe po më thotë
-Kot që endërron, dashuria do guxim
