Jam lodhur të shtirem luaneshë,
Ky shpirt është bërë pesimist.
Nata pa hënë ka vesh,
Errësira ka gjuhë të pistë…
Kam thënë s’më interesojnë zërat,
Krenaria më mban si bredh.
Çdo birë ku ngulën gjilpërat,
Lastarët kanë çelur gjeth.
Jam lodhur të shtirem e fortë,
E thyer në copëza si qelq,
Por shpresa, qershia mbi tortë,
I var disa degë si shelg.
Të holla më duken si fije,
Shpeshherë kam frikë që t’i prek,
Seç kanë një dritë dashurie,
Dhe dritën ky shpirt e ndjek…
