Mali i Gramozit duket sikur e mban në prehër fshatin Prodan.
Për ta ruajtur nga stuhitë?
Rrufetë dhe vetëtimat e qiellit?
Nga dëbora, era dhe ngricat kallkan?
E mbante në gji për t’i dhënë forcën dhe qëndresën e malit të lartë?
Simbolin dhe krenarinë e Kolonjës?
Po the Gramoz, ke thënë Kolonjë.
Traditë.
Histori.
Trimëri.
Luftë.
Liri.
Dinjtet kombëtar.
Edhe pse kanë kaluar katër shekuj, banorët kujtojnë me nder dhe respekt një emër:
Maro Prodani.
Vajzën e bukur me sytë e kaltër si ujët e Osumit.
Me gushën e bardhë si bora majë malit.
Me shallin e kuq në qafë si palët e flamurit.
Me flokët e zinj si krahët e shqiponjës.
Me shpatën ngjeshur herë në brez e herë në dorë, duke e vringëlluar mbi armiqtë pushtues.
Liria ka emër.
Liria ka nder.
Liria ka shpatën e saj.
Shpatën e brezave.
Thonë se shpata ishte dhuratë për të parin e fisit, Gjergj Prodani, nga një tjetër Gjergj, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, në Kuvendin e Lezhës, më 2 mars 1444.
Mbi tehun e saj ishte shkruar një amanet:
“Kot mos e nxirr, pa lavdi mos e fut.”
Me këtë shpatë brezat kishin bërë historinë e brezave.
Historinë e luftës për liri.
Lavdia ngjitet lart si ngjiten legjendat.
Si mali i Gramozit.
Me kokën mbi retë e bardha.
Një ditë në fshatin Prodan mbërritën turqit.
Me flamuj të zinj.
Me dëshira më të zeza se nata pa hënë.
Bimbashi turk urdhëroi që fshati të paguante taksa të rënda dhe të jepte peng vajzën më të bukur.
Ta çonin në pashallëk.
Ta bënin robinjë të haremit të tij.
Maroja nuk e përmbajti zemërimin.
Doli si stuhi në prag të shtëpisë.
Flokët e zinj dhe qafën e gjatë, si të sorkadhes së pyllit me bredha të gjelbër, i kishte mbështjellë me shallin e kuq të nënës.
Sokëlliu sa u tund Gramozi nga zëri i saj.
-Cili je ti që kërkon nderin e fshatit tim?
Cili je ti që kërkon nderin e fisit tim?
Cili je ti që kërkon nderin e tokës sime që nuk e kanë mposhtur kurrë stuhitë?
Oficeri qeshi me përbuzje.
-Unë jam komandanti i një mijë ushtarëve. Ti, grua e mjerë, më sfidon mua dhe perandorinë time të madhe?
Maro Prodani nxori shpatën nga brezi.
-Nuk jam grua e mjerë, por bijë e Kolonjës.
Dora dhe shpata ime nuk e njohin frikën, bimbash efendi.
Ti je komandant i një mijë ushtarëve.
Unë jam bija e lirisë.
Eja t’i përplasim shpatat!
Sa herë ul kokën Gramozi nga rrufetë, aq herë e ulin kryet bijtë dhe bijat e Kolonjës.
Prodanasit u mblodhën në sheshin e fshatit.
Shkëmbi i kuvendit qëndronte i heshtur.
Burrat sokëllinin.
Gratë qanin.
Fëmijët u strukën pas portave.
Era frynte nga malet e Gramozit me këngë lufte.
Dy shpatat u përplasën.
Shpata shqiponjë e Maro Prodanit.
Shpata gjysmëhëne e bimbashit.
Toka rënkonte.
Hapat e Maros ishin të lehtë si era e pranverës.
Xibuni i zi me kinda dhe shalli i kuq valëviteshin në ajër.
Flamur lirie.
Turku sulmonte me hapat e rëndë të bishës së Bosforit.
Maro shmangej si vetëtimë.
Godiste si rrufeja qiellin.
Shqiponja e malit kundër gjarprit pushtues.
Një britmë.
Një rënkim.
Dhe më pas… heshtje.
Nga gjoksi i bimbashit shpërtheu gjaku.
Gjaku i zi i balozit, ardhur përtej detit, si në legjendën e lashtë të Gjergj Elez Alisë.
Dielli çau retë dhe ndriçoi flokët e zinj të Maros.
Ajo ngriti shpatën lart dhe sokëlliu:
-Prodani dhe Kolonja nuk e njohin robërinë!
Ushtarët turq rendën ta kapnin.
Fshatarët e mbështollën me fustanellat e bardha.
Gratë dhe vajzat e mbuluan me shamitë e kuqe.
Fëmijët vendosën mbi shpatën e saj lule borziloku dhe jasemini.
Nga ajo ditë askush nuk e pa më Maron.
Thonë se e mori pylli në gjirin e tij dhe u bë lis.
E mori reja e bardhë dhe u bë dritë.
Në pranverë, kur era fryn nga gryka e Osumit dhe përplaset në shpatet e Gramozit, dëgjohet ende kënga:
“Hajde moj Maro Prodani,
Nuk u trembe nga Sulltani,
Shpata jote vetëtimë,
Zjarr e flakë për lirinë…”
Mina T. Qirici
Nga libri në proces botimi “Vajza që u bë këngë”
Legjenda dhe balada shqiptare
Ribotim dhe riredaktim
Tiranë, 21 maj 2026
PS: Maro Prodani nuk është legjendë dhe as personazh historik, por tregim artistik i krijuar nga unë, postuar në profilin tim në FB në muajin mar 2025. Çdo autor që shkruan rreth kesaj teme, me gjasë “legjendë popullore”” pa cituar autorin, është plagjiaturë dhe dënohet me ligj.
