Bëra çbëra sytë, s’i mbylla dot,
sekëlldisur, gjumi nuk më zuri.
E mbaj mend, dita ish si sot,
kur një mik dedikim më thuri.
Eh, poetët zgjojnë fantazinë,
e mbështjellin gjithë delikatesë.
Thashë ti flisja pak për dashurinë
kaq e ëmbël vargjeve të mbesë.
Kohë e bukur, zogjtë cicërojnë,
nëpër tinguj sjellin ëndërrime.
Do t’u vija në sqep nga një shkronjë
t’i këndonin dashurisë sime.
Ajo gjendet kudo ku ka jetë,
në verë, kur gjinkallat ziejnë,
në romanet me mbi një mijë fletë
dhe në yjet kur të fundit bien.
Miqësisht dita nisi ndryshe,
sa që dora penën s’e lëshon.
Mbase ndihem si një dallëndyshe
që pranverën çdo herë e kërkon.
