BallinaVitrina e libritVështrim mbi librin me tregime dhe novela të titulluar “Rrënjët” të poetit...

Vështrim mbi librin me tregime dhe novela të titulluar “Rrënjët” të poetit dhe prozatorit Hekuran Halili.

Nga Shyrete Demaj

Libri “Rrënjët” një libër mbreslënës që sjell një botë të pasur shpirtërore me një gjuhë të veçantë poetike sa të thjeshtë po aq të bukur, me fjalë dhe shprehje popullore çame që nuk i ke hasur më parë dhe që mbeten në mendjen e lexuesit.

Autori është i lidhur fort me “rrënjët” e tij Çamërinë, janë këto rrënjë që ushqejnë muzën poetike dhe rrëfimtare të mahnitshme të tij.
Në tregimet e tij autori vjen kaq ngrohtë dhe depërton pa e kuptuar në shpirtin e lexuesit.
Malli për Çamërinë e ndaluar vjen si malli për shpirtin që e ke larg e trupi s’mund të jetojë pa të, malli është si vullkan i fjetur që shpërthen në këto rrëfime me gjithë ndjenjat njerëzore, me gjithë ngjyrat dhe tingujt e shpirtit.
Figura “rrënjët” është emblemë e kujtesës, gjakut, varreve të të parëve, amanetit të eshtrave që s’i tret dheu.
Rrënjët janë histori që fle nën troje, janë rrënjë që nuk shkulen dot dhe që herëdo kurdo do të mbijnë sythat e reja në trojet e të parëve.
Tregimet plotësojnë njëri-tjetrin si një pazëll jete, i asaj jete të mohuar, i atij vendi me bukuri të rrallë që siç thotë autori në tregimin “Djali i frongoshëve” “Si ballkon i stërmadh mbi det dukej i gjithë ky vend me bukuri të rrallë, me klimë të rrallë,me prodhime të rralla…”
Në këtë tregim rrëfehet jeta e vështirë e djalit të frongosheve (fiq deti) fëmijë jetim që mbante familjen duke shitur frongoshe.
Këtu autori përshkruan me figura kaq të bukura si; “Djali i shihte me sy pëllumbi…”

Shpeshherë autori në tregimet e tij zbukuron vendbanimet, shtëpitë muret me një merak të jashtëzakonshëm prej mjeshtri të gurit dhe fjalës që të mbetet në mendje, si në tregimin”Mallkimi” ku shprehet për shtëpinë e sapondërtuar të Keselit;- “Nuk ishin shtëpi të zakonshme por saraje e shkuar sarajeve. Godina ishte punuar me gurë të bardhë. Qoshet qenë gdhendur aq bukur sa ngjanin si kolona mermeri me harkada elegante mbi dyer e dritare, me ca figura trekëndore guri të kuq poshtë pragjeve e dritareve, me korniza guri të bardhë e çati mbuluar me pllaka guri të hirta…”
Këto detaje zbukurojnë tregimin si me një penel piktori arti i të cilit i reziston kohës.
Gjithashtu rrëfimet e këtij libri vijnë mrekullueshëm me fjalët e rralla të gjuhës shqipe, fjalët e dialektit çam që përdoren në tregimet dhe novelat.

Në tregimin me titull “Kolona e grave” i cili për mua është kulminacioni i librit ku rrëfimi e ngërthen lexuesin në një ankth e trishtim të thellë nga ky rrëfim drithërues i masakrave, dhunimeve dhe përdhunimeve që ka përjetuar popullsia çame nga rezervistët Zerva të ushtrisë çetnike greke.
Autori figurën e gruas e sjell si qëndresë, si vazhdimësi të jetës së popullsisë çame. “Kolona e grave” është kujtesë, është histori që nuk do të harrohet kurrë.

Si përfundim libri “Rrënjët” është një libër që duhet lexuar nga çdo lexues që dashuron librat, rrëfimin emocionues, historinë, legjendat dhe atdheun.
Është një libër që pasuron shpirtin dhe bibliotekën e çdo lexuesi.

Suksese Hekuran Halili!

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT