Shkruan Shefqet Dibrani
Alban Hajrushi, “RRUGA E KTHIMIT dhe tregime të tjera”, botoi Shtëpia Botuese “ARMAGEDONI”, Prishtinë, 2026. 56 faqe. ISBN: 978-9951-994-28-6.
Vëllimi me tregime “RRUGA E KTHIMIT dhe tregime të tjera” i Alban Hajrushit lexohet si një udhëtim drejt nevojës njerëzore për rikthim. Në këtë libër, autori, përmes tregimeve, (disa prej tyre shumë të shkurtra), ka ndërtuar dramën njerëzore, ku heshtja flet me pak fjalë dhe ku mungesa bëhet formë jetese. Tregimet e tij janë rrëfime meditative, me një timbër të theksuar lirik. Nëpër këto tregime, autori nuk merret me tema të mëdha; rrëfimi i tij është përjetues dhe zhvillohet përmes ngjarjeve të rëndomta. Kjo atmosferë e rrëfimit ndërtohet nga copëza kujtimesh, pritje të gjata dhe mallkim i kohës, të cilat, falë artit të tij, bëhen pjesë e realitetit letrar.
Këtë qasje e gjejmë në tregime si “Nga qyteti”, ku, nën tingujt e muzikës, qyteti rilind (f. 11), “Në pritje”,(f.33), “Borë”, (f.41) dhe në disa tregime të tjera që shquhen për realizimin artistik, sidomos në pasqyrimin e gjendjeve shpirtërore që e prekin dhe e nxisin lexuesin.
Në qendër të këtij universi letrar qëndron vetmia, por te Alban Hajrushi ajo nuk paraqitet si boshllëk i thjeshtë; ajo shndërrohet në hapësirë reflektimi dhe në një formë njohjeje me vetveten. Personazhet e tij gjallërojnë mes kujtimeve dhe ndërmjet asaj që ka qenë dhe asaj që nuk kthehet më. Në tregimin “Nata e vetmisë”, (f.12), izolimi nuk paraqitet si humbje, por si moment i kthimit të njeriut te vetja. Vetmia bëhet mënyrë për ta dëgjuar shpirtin dhe për ta ndier peshën e kujtesës, sepse: “Hyrja në shtëpi më duket si hyrje në një botë tjetër” (f. 14).
Po aq e rëndësishme është tema e kujtesës. Në shumë prej tregimeve, kujtimi shfaqet si mënyra e vetme për ta mbajtur gjallë identitetin dhe dashurinë. Te “Kujtime në korridor”, korridori shndërrohet në një hapësirë ku ecin njëkohësisht mungesa, dashuria dhe koha. Rrëfimet e Alban Hajrushit janë plagë njerëzore që nuk mbyllen lehtë; ato ngjajnë me drita që nuk shuhen shpejt.
Në këto tregime duket sikur edhe natyra merr frymë bashkë me personazhet. Bora, shiu, fusha, mali, qielli apo era nuk shërbejnë vetëm si dekor, por si një gjuhë paralele e shpirtit. Ta zëmë, në tregimet “Gjysmë pranvere”, (f.24), “Qielli sonte po qan”,(f.28) apo në tregimin“Në hijen që s’është më”, (f.43), peizazhi bëhet metaforë e dhimbjes, por edhe e shpresës që manifestohet përmes vetmisë njerëzore. Kjo prirje poetizuese e afron prozën e Alban Hajrushit me prozën poetike moderne, ku imazhi shpesh e zë vendin e fabulës dhe ku atmosfera bëhet më e rëndësishme se vetë ngjarja.
Një shembull domethënës është ky tregim i shkurtër, të cilin po e sjellim të plotë:
HIJA QË S’U KTHYE
“Jetonte vetëm. Kishte kohë që ishte mbyllur në botën e tij, larg syve tanë, larg fjalëve, larg gjithçkaje që dikur e rrethonte. Askush nuk e dinte saktësisht pse. Disa thoshin se ishte lodhur, të tjerë thoshin se ishte zhgënjyer. Por askush nuk kishte përgjigje të plotë. Thjesht, ishte zhdukur.
E thirrëm njëri pas tjetrit, me zë, me mendje, me mall, por ai s’u kthye. U largua. U largua me një ftohtësi që na la boshllëk.”
(Faqe 29)
Një tregim tjetër mjaft i realizuar është “Rruga e kthimit”, (f.51), prej të cilit libri merr edhe titullin. Ky tregim sintetizon boshtin tematik të gjithë vëllimit. Kthimi këtu nuk lidhet vetëm me rikthimin fizik drejt shtëpisë, por më tepër me kthimin shpirtëror te rrënjët dhe familja. Bora që mbulon rrugët, shtëpia e heshtur dhe prindërit që presin, shndërrohen në simbole të kohës që kalon, ndërsa kujtimet mbeten. Nëpër këto tregime, autori arrin të ndërtojë një lloj elegjie për familjen dhe mallin për vendlindjen. Gjithsesi, këtu kemi edhe një akt pajtimi me jetën dhe me të kaluarën.
Personazhet janë të paktë dhe shpesh anonimë: plaku, vajza pa emër, ai, ajo. Ata nuk ndërtohen si karaktere me biografi të zgjeruar, por si bartës të gjendjeve dhe përjetimeve. Ndoshta autori me vetëdije e ruan anonimitetin e tyre për ta bërë mesazhin sa më universal. Në shumë tregime, lexuesi mund ta gjejë vetveten, sepse këta personazhe anonimë përfaqësojnë përvoja të përgjithshme njerëzore, si: pritja, mungesa, durimi, malli dhe, gjithsesi, “shpresa që vdes e fundit”.
Bukuria e këtij libri qëndron edhe në faktin se, si fillim krijues, ai vjen premtues. Narrativat e tregimeve dhe temat më të kompletuara sigurisht do t’i gjejmë në librat e ardhshëm, por ajo që e bën të veçantë librin e Alban Hajrushit është aftësia për ta kthyer realitetin e zakonshëm në figurë letrare. Ta zëmë, një dritare që fshihet çdo mëngjes, një rrugë me borë, një shtëpi ku pikon shiu apo një qytet i mbuluar me mjegull, janë vetëm disa nga detajet që ngrihen në nivel simboli dhe marrin kuptim emocional.
Në fund, “RRUGA E KTHIMIT dhe tregime të tjera” mbetet një libër që shënon fillimin e një rruge të mbarë letrare. Ky vëllim hap siparin e sukseseve të reja, duke hyrë ngadalë në panteonin e autorëve që kultivojnë prozën e shkurtër. Alban Hajrushi paraqitet si një zë i ri i vetëdijes letrare, i cili ka ditur të ndërtojë një prozë të qetë, melankolike dhe reflektuese. Pikërisht këtu qëndron edhe vlera e këtij libri: në aftësinë për të na kujtuar se njeriu jeton jo vetëm me atë që ka, por edhe me atë që nuk pushon kurrë së kujtuari.
