Vjeshta i zgjidhi flokët e pemëve
mbi rrugën time.
Një gjethe më preku supin,
aq lehtë,
sa malli kur kujton
se ka ende një derë.
Gjethet binin
me një bukuri të pamëshirshme.
Petale pa lule,
letra pa adresë,
copëza të verdha
nga një stinë melankolie..
Brenda meje
ngjyrat ndërronin vendet.
E kuqja rrinte pranë zemrës
si një dritë e mbetur
nga një tempull i largët,
e verdha më çonte
atje ku shpirti
nuk ka më harta.
Në agim,
vesa u shpërnda mbi gjethe
si mijëra sy të vegjël
që nata i kishte lënë hapur.
Një pikë më rrëshqiti në dorë,
e ftohtë,
e gjallë,
si një qielli
që kishte humbur rrugën.
Në një degë të ulët
gjeta një zog të fjetur
mes dy gjetheve të kuqe.
Nuk lëvizi kur kalova.
Vetëm zemra e tij
i shtynte pendët
si një derë e vogël
që dikush e hapte nga brenda.
Më pas, pylli u rrallua.
Mes trungjeve
një copë qielli varej ulët,
aq pranë tokës
sa mund ta prekja me sy.
Për herë të parë
nuk kërkova largësinë.
Një gjethe e lagur
më ngjiti pas pëllëmbës.
Në damarët e saj
rridhte ende jeshilja.
E mbajta gjatë,
derisa dora ime
mori temperaturën e saj.
Kur nata nisi të zbriste,
pemët humbën ngjyrat.
Mbeta vetëm me duart hapur
dhe atë pikë të vogël vese
që ende shkëlqente.
Askush nuk do ta dinte
nga cila stinë
kishte ardhur.
