Nëna ime e dashur Marina!
Sot, pas dy vitesh të gjata largësie, malli më sjell përsëri pranë teje. Po të shikoj në sy në këtë moshë të bekuar 95-vjeçare dhe shpirti më mbushet me një krenari që nuk ka fjalë ta përshkruaj. Jeta jote, nëna ime Marina, nuk është thjesht një rrugëtim vitesh, por një monument i gjallë i mirësisë, sakrificës dhe dashurisë pa kushte për njerëzit.
Ti nuk rrite vetëm gjashtë fëmijët e tu me gjak e me djersë. Zemra dhe gjiri yt i ngrohtë u bënë strehë për këdo që pati nevojë. Kur foshnja e fqinjës nuk kishte qumësht, ti, Marina jonë shpirtmadhe, e mbajte në gji për një vit e gjysmë sikur të ishte e jote. Kur djalit të vëllait i mungoi qumështi i nënës, përsëri ishte gjiri yt që e rriti dhe e ushqeu. Ti nuk bëre dallim kurrë mes fëmijëve të tu dhe fëmijëve të tjerë, për ty, çdo krijesë meritonte jetë dhe dashuri.
Mësimin më të madh të njerëzishmërisë na e pasqyrove me vepra që rrallë kush mund t’i bëjë. Kur jeta e djalit të shokut të babait u bë copa nga një aksident i tmerrshëm, ishin duart e tua të arta, përkujdesi dhe shërbimi yt i palodhur për dy vite me rradhë që e kthyen atë djalë në jetë nga pragu i vdekjes. Ti nuk kurseve asgjë nga vetja as për atë nënë plake, të cilën e braktisën të gjithë, por që gjeti te ti, te Marina e shtrenjtë, një vajzë, një strehë dhe një familje për 10 vite me rradhë.
Kjo mirësi e madhe tek ty ka lindur bashkë me ty. Që kur ishe një vajzë e vogël vetëm 12 vjeçe, në ditët e vështira të Luftës Nacionalçlirimtare, ti thurre triko e çorape me duart e tua të vogla për të ngrohur partizanët. Ti ke lindur për të sjellë dritë, shpresë dhe ngrohtësi në këtë botë.
Sot, në këtë Tiranë që të mban në gji, unë përulem para teje. Përulem para çdo rrudhe në fytyrën tënde që tregon një histori sakrificës, para duarve të tua që kanë shëruar plagë e kanë rritur breza, dhe para zemrës tënde të madhe sa bota, që nuk u lodh kurrë duke dhuruar dashuri.
Prandaj unë sot, nisem të bashkohem me RININË HEROIKE, sepse ti nënë e shtrenjtë, bashkë me babain tonë Veteran i Luftës Nacionalçlimtare që na sheh nga lart, na keni mësuar të duam në rradhë të parë atdheun e shtrenjtë Shqipëri, jo me fjalë, por me vepra.
Faleminderit që ekziston, nëna ime e shtrenjtë Marina.
Je bekimi ynë më i madh dhe krenaria që na mban kokën lart.
Të dua pafund….
Me respekt e dashuri të pakufishme bija jote, Landa.
