Mendimet kacafyten
ashtu si shiu në pikë të verës.
Përplasen me pamëshirën e farsës-jetë,
dhe ma mbërthejnë fjalën.
Ofshama e prish qetësinë.
Mendimet bredhin kuturu,
si në komedinë e Molierit…
Syri ndalon te perëndimi i ngadaltë
i një dielli të zbehtë.
Përqafon ardhjen e një dite ende pa lindur.
Këtu,
me heshtjen e zhurmshme të ajrit,
asgjë nuk të çmend më shumë,
kur gjaku vlon,
e dejtë përmbysin lumenjtë.
Në cilën rrjedhë të shiut ta përplas veten?!
Mendimet bien në teatrin e mjerë.
Komedia vazhdon, njeriu ende puth lotin.
Ofshama vazhdon ritmin ikjes së zogjve.
