U pamë rrëfyeshëm sy më sy,
Plot ndrojë ula kokën,
Arën me grurë e skuqe ti,
Plot mall përskuqe tokën.
Ta ndieva unë dorën e lehtë,
Si pupël përmbi supe,
Dhe me pigmentin tënd të kuq,
Fytyrën seç ma skuqe.
Aromën e buzëve e ndiejmë,
Të dy pak të përhumbur,
E kuqja, ngjyrë e dashurisë,
Lulëkuqia ime e bukur.
Lulëkuqe je, nuk ka dyshim,
Lëndinave e rritur,
Përskuq tani arën me grurë,
Sa kohë që të kam pritur!
