Posagjerët e fundit ,nuk di ku u tretën
Pa kumbime hapash në peron
S di pse më rëndon mbi sup kjo mjegull
Që të hyn në gjak dhe të dhunon.
Kam pak ftohtë dhe pse me pallto veshur
Dimri këtu klith edhe të pret
Unë i nis shtegtimet çdo fund vjeshte
Dhe i mbyll , kur vera nis troket.
Kapur mbas direkut të një ere
Sa herë nisem , prapa s’lë adresë
Nuk bëj prenotime për hotele
Se e di ,që dikush do më presë
Dikush do të dalë ,të ma hapë një derë
Të më buzëqeshë si një mik
Të ulet pranë meje në ,tryezë
Pa mjegull dyshimesh dhe pa frikë
Me një gotë mbrëmje nëpër duar
Të këmbejmë fjalë gjer në mesnatë
Kjo botë ka kaq njerëz të vetmuar
Që një mik në derë e quajnë fat
Posagjerët e fundit, s’di ku shkuan
Duke lënë ca gjurmë të hirta pas
Unë pak mjegull ,zë të shkund nga supet
Dhe tek porta e parë ,shkoj të trokas.
