Trajneri i Kosovës, Franco Foda, ka thënë se “Dardanët” janë përgatitur për një ndeshje intensive ndaj Austrisë, që zhvillohet nesër në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Foda ka theksuar rëndësinë e tranzicionit dhe përmirësimit në fazën e mbrojtjes, duke pranuar se Kosova ka pasur probleme në këtë repart në përballjen e fundit me Austrinë.
“Kemi pasur disa probleme ndaj Austrisë në mbrojtje. Kemi treguar ndaj Izraelit se jemi përmirësuar. E kemi analizuar mirë lojën dhe jemi përgatitur mirë. Na pret një ndeshje intensive. Duhet të kemi kujdes në tranzicion, në kalimin nga sulmi në mbrojtje dhe anasjelltas”, ka thënë Foda.
Trajneri gjerman ka vlerësuar edhe rëndësinë e faktit që ndeshja luhet në Prishtinë, para tifozëve kosovarë.
“Tani e dimë që jemi në shtëpi dhe e kemi publikun. Kjo na shërben për një energji tjetër”, është shprehur ai.
Foda ka thënë se pas çdo ndeshjeje bëhen analiza dhe merren vendime për ndryshimet e mundshme në formacion. Ai ka vlerësuar se Kosova ka qenë më e stabilizuar në mbrojtje në ndeshjen ndaj Izraelit, ndërsa ka bërë të ditur se disa futbollistë kanë pasur probleme me lëndime.
“Pas çdo ndeshjeje bëjmë analiza dhe marrim vendime. Në Izrael u stabilizuam në mbrojtje. Disa lojtarë kanë pasur lëndime. Ndaj Izraelit bëmë ndryshime dhe tani, kundër Austrisë, duhet të kemi energji dhe pasion”, ka deklaruar Foda.
Ai ka përsëritur se Kosova synon fitoren në shtëpi dhe ka vlerësuar se detajet mund të jenë vendimtare në këtë përballje.
Foda ka thënë se e mirëkupton kritikën e trajnerit të Austrisë, Ralf Rangnick, për gjendjen e fushës në stadiumin “Fadil Vokrri”, por ka theksuar se kushtet janë të njëjta për të dyja skuadrat.
Për fushën ka folur edhe sulmuesi Vedat Muriqi, i cili ka pasur një reagim më të drejtpërdrejtë.
“Fusha është e njëjtë. Kanë ardhur edhe ekipe të tjera të njohura, por nuk janë ankuar. Po më duket si arsye për pas ndeshjes, ishalla del ashtu”, ka deklaruar Muriqi.
Ai ka shtuar se edhe në Mallorca, pavarësisht cilësisë së fushave, skuadrat përdorin lojën me topa të gjatë.
Muriqi ka sqaruar edhe mungesën e tij në ndeshjen ndaj Izraelit, pasi në rrjetet sociale ishin shpërndarë pretendime se ai kishte refuzuar të luante.
Sulmuesi i Fenerbahçes i ka hedhur poshtë këto pretendime, duke thënë se kishte pasur ngarkesë muskulore.
“Kisha ngarkesë të muskujve, është normale. Kisha lëndim para një muaj e gjysmë. Sot do të stërvitem dhe do të jem gati për lojë”, ka thënë Muriqi.
Ai ka folur edhe për rolin e ri si kapiten i Kosovës, duke thënë se nuk e ndien si përgjegjësi të jashtëzakonshme, pasi për një kohë të gjatë ka qenë zëvendëskapiten dhe ka pasur rol udhëheqës në ekip.
Muriqi ka thënë se në mungesë të kapitenit Amir Rrahmani ka qenë lojtari i parë që ka marrë shiritin dhe se dëshiron që përvoja e tij t’u shërbejë edhe futbollistëve të rinj.
Ai ka theksuar se nuk ndien presion nga kjo përgjegjësi dhe se bashkë me lojtarë me përvojë, si Milot Rashica e Mërgim Vojvoda, po përpiqen t’ua përcjellin eksperiencën futbollistëve të rinj.
Duke folur për përballjen me Austrinë, Muriqi ka pranuar se ka humbur një mundësi të mirë për të shënuar, por ka thënë se gjithmonë tenton ta shfrytëzojë çdo rast që i paraqitet.
Ndeshja Kosovë–Austri zhvillohet nesër në stadiumin “Fadil Vokrri”, ndërsa “Dardanët” synojnë të marrin rezultat pozitiv para tifozëve të tyre./Rtk/
