BallinaVitrina e libritGabriela Mujaj-SOMNIUM

Gabriela Mujaj-SOMNIUM

Gjithmonë kam andrrue me dasht dikand si ty.
Se kur më kanë dashurue me zjerm e zemër,
Se kur më kanë shkrue me fjalë të mëndafshta,
Se kur më kanë ndejtë afër, ledh, e qafë,
Nuk kam ndie lumni veç përkdheljen e sedrës
dhe nuk jam ndie me fat,
Se dashnia asht kur ti vetë dashuron.

Unë gjithmonë kam andrrue me dasht
Dikand siç të due ty
Me ndie ç’ka ndjej për ty,
Me të mendue siç mendoj për ty.

Jam lut gjithmonë me dashurue dikand si ty
Me njoft nalstësimin e epërm të zemrës,
Me e pa para syve të mi se si më shkërrmoqet
egoja jeme,
Se si planet e mia nuk kanë ma aq vlerë
Se si ambicja jeme zvogëlohet e humbet
Se si çdo gja që ma parë e kam dasht’
Nuk ka ma të njajtën randësi.

Unë gjithnji kam dasht me m’u prekë shpirti
prej nji dashnie si kjo,
gjithmonë kam dasht me u ndie e braktisun te zemra.

Gjithmonë kam dasht me dashurue
pa logjikë e pa arsye,
Dikand që m’i thyen gurët e mi
Që më kthen prapë te shtëpia e zemrës
Që më avit prapë me Zotin tem…
Se tash lutem ma shumë.

Punët i kam ndreq prapë me Zotin.

Jo për me të pas patjetër, që të kuptohna drejt,
Unë gjithmonë e kam dijtë që dashnia
S’asht pronë, as zog me e shtrëngue në grusht.

…Unë gjithmonë kam dasht me ndie kështu
për ty, pra…gjithmonë!

Pa e dijtë kush je, sytë si i ke, zanin, duert …
Dhe i falem Tejenaltit për ndjesinë.

Tash nuk jam ma si kam qenë
Tash e di në njerinë ç’ban dashuria
Tash e di se pse njerzit që duhen janë të lirë
Tash e di se pse njerzit e thjeshtë
kur janë me dashurinë qeshin kur ecin rrugës
edhe kur janë në një punë që s’e duen,
Edhe kur janë minus në llogari
Edhe kur nuk kanë arrit ku kanë dasht në jetë…

Tash e di se ç’a don me thanë që bota me kalue menjanë, e bota prapë me kenë në nji njeri.
Un gjithmonë kam dasht me ndie kët’ dashuri,
pa të njoft, pa të dijtë, pa të pasë..

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT