BallinaVitrina e libritMihrije Shala Telaku-Pseee…?

Mihrije Shala Telaku-Pseee…?

Gjithë rrugëtimi ynë është ndërtuar mbi pyetje
Si qytete të ngritura me tulla dyshimesh
Dhe unë, si një udhëtare e humbur në kohën moderne,
E kërkoj “pse-në” në ekranet
Ku buzëqeshjet filtrohen
Në sytë që flasin ndryshe nga zemra
Tek fjalët që godasin më fort se heshtja
Pse egoja rritet si kullë prej xhami
Duke i ndarë njerëzit me mure krenarie
Kur mjafton një dorë e ngrohtë
Që bota të marrë frymë më lehtë
Shoh njerëz që mburren me emra
Me poste e me hijen e famës së rreme
Harrojnë se njeriu pa shpirt
Mbetet vetëm statujë e ftohtë
Ka fjalë që të pickojnë si grerëza
Derisa mendimet të errësohen
E shpirti të lodhet nga britmat e unit
Shpesh grindem me vetveten
Një zë më thotë: “Mos pyet më!”
Tjetri më shtyn ta kërkoj përgjigjen deri në fund Por “pse-ja” është si mjegull
Që ikën sa herë i afrohesh
Jeta ndërtohet me mijëra “pse”.
Pse njerëzit lëndojnë? Pse harrojnë dashurinë? Pse shikojnë jetën e tjetrit
Kur nuk njohin plagët e veta
Disa hedhin fjalë si shigjeta
Pa e ditur se çdo zemër ka një luftë të fshehur brenda saj
Dhe prapë… mes gjithë kësaj zhurme moderne
“Pse-ja” mbetet enigmë
Një derë gjysmë e hapur
Që njeriu e troket gjithë jetën
Pa mundur ta çelë plotësisht kurrë.

Artikulli paraprak
Artikulli i ardhshëm
TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT