BallinaVitrina e libritZanë Memeti-Lodhja e feniksit

Zanë Memeti-Lodhja e feniksit

Sonte, po dorëzohem,
nga gjithçka,
që shpirtin e bën të fluturojë
horizonteve, ku pluhuri i yjeve
është frymëmarrje.
As lumi nuk e kthen rrjedhën
për mallin e brigjeve.
Mbetem ndërmjet dy ujëvarave
që nuk derdhin ujë,
por shpirti,
nga mungesa e lotit,
ka mësuar të pikojë gjak.
Mos më quani të dobët!
Dobësia nuk di të ringritet.
Kam rënë aq herë,
sa dhe rënia më njeh me emër;
rënia në humnerë,
më është bërë tavan.
Mësuar jam ta ndërtoj qiellin me copat e vetes,
si zogu që e thur folenë
me degët që ia theu stuhia.
Jam bërë copëza,
pastaj duarve të mia
u është dashur ta mësojnë,
mjeshtrinë e ribashkimit.
Akoma jam e fortë nga thyerjet,
e brishtë nga kujtesa.
Çdo plagë, kur nuk vdes,
bëhet kujtim,
e çdo kujtim rrit një peshë
që nuk shihet.
Ndaj sonte,
nuk do ta shpëtoj më veten.
Do ta lë unin, shpirtin
të digjen në zjarrin e vet,
derisa prej hirit
të mos mbetet, asgjë!
Gjithçka të shpërndajë
era e harresës në mundt…
Edhe koha,
ajo lypësja e përjetësisë,
i ka humbur numëratorët,
duke m’i numëruar ringritjet.
Le të më thërrasin muzat!
Le të trokasin si stuhi
mbi dritaret e shpirtit!
Sonte nuk do t’ua hap.
Ka net kur edhe frymëzimi bëhet një lloj lodhjeje.
As njeriun nuk do ta kërkoj.
As dashurinë.
E dhimbshme është lodhja,
duke qenë strehë për zemra
që s’dinë, a s’duan të banojnë.
Ndoshta shpirti,
sa më i padukshëm,
aq më i rëduar është.
Ndaj sonte, po dorëzohem!
Jo para jetës,
por para përpjekjes
për t’u bërë e domosdoshme.
E di, edhe si do të largohem.
Me lëmoshën time të fundit;
një buzëqeshje në fytyrë,
ndërsa brenda meje
do të vazhdojë të bjerë,
pa zhurmë,
shiu i gjakut mbi një tokë
që nuk e mësoi kurrë emrin tim.

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT